Vettingu ka dhënë rezultate të kënaqshme deri më tani, por lufta antikorrupsion në nivele politike nuk ka filluar ende. Një bllokim i KLGJ dhe KLP sjell shtyrje dhe të SPAK dhe BKH. Ligji e ka të përcaktuar qartë se organet antikorrupsion nisin të funksionojnë vetëm 2 muaj pasi ngrihen KLGJ dhe KLP. Këto të fundit janë ato që do të emërojnë njerëzit e SPAK dhe BKH, të cilët do të hetojnë pushtetarët.
Ajo që i tremb gjyqtarët dhe prokurorët është skanimi nga ndërkombëtarët. Sipas ligjit, anëtarët e KLGJ, KLP dhe SPAK do të jenë gjatë gjithë kohës në përgjim. Atyre do u monitorohen telefonat dhe kompjuterët, ndërsa po ashtu edhe llogaritë bankare do u kontrollohen. Pra të gjithë anëtarët duhet që të heqin dorë nga privatësia. Kjo gjë ka shqetësuar një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh, e për këtë arsye ata nuk po pranojnë që të bëhen pjesë e tyre.
Sipas ”SOT”, rreziku tani qëndron te fakti nëse do ketë interes për të garuar dhe ata që do marrin pjesë a do e kalojnë vetingun. Momentalisht Kuvendi ka zgjedhur përfaqësuesit nga shoqëria civile dhe juristët për KLGJ e KLP, por deri në përzgjedhjen e tyre u desh që gara të rihapej 4-5 herë.
Një pjesë e madh e tyre nuk plotësojnë kushtet, ndërsa një pjesë tjetër janë të zhytur në afera dhe nuk pranojnë të jenë në monitorim. Sipas përcaktimeve në Kushtetutë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron këto funksione: emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve; vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve; i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit; miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre; drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave, me përjashtim të mbarëvajtjes së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave, etj.