Nga Anri Bala
Edi Rama po pushon, kurse Sali Berisha nuk pushon, i ndihmuar nga armatimi berishist që ka në krah! Ka dalë malit me një tufë bashibozukësh, për të luftuar për trojet e tij, duke e spostuar kufirin e Viçidolit, tejematanë në Gjakovë. Në dijeninë time, “Viçidoli digjital” nuk mban asnjë pozitë të rëndësishme kund, veç statusit që gëzon si “ish”, ndaj gjykoj se nuk ka asnjë të drejt, vetëm nëse është qytetar ose shtetas i Republikës së Kosovës, të ndërhyjë në punët e brendëshme të një shteti tjetër! Kjo është si të kërkoj ish-dashnorja atributet e gruas… por ai e bënë, përderisa askush për habi, nuk e ndalon, madje e miklon… të jap urdhëra!
Nuk besoj, se e keni harruar, se si u shqetësua klasa politike kosovare, kur Kryeministri i Shqipërisë vizitoi Preshevën dhe diskutoi me Vuçiçin, edhe për problemet mbetur ende pezull, mes Kosovës dhe Serbisë. Pas tyre, nuk mbeti vagabond e shakllaban… pa na treguar, se Kosova ishte Republikë e pavarur dhe populli i Kosovës, kishte qeverinë e tij, shtetin e tij, shtetarët e tij dhe zagarët e tij. Bile, vetë ministri i jashtëm i Kosovës, i ndihmuar nga kadetët e “Tiranës”, Bukshkala e Torobelli, arritën deri aty, sa të na tregonin, se shqiptarët me kosovarët i lidhte vetëm gjuha, edhe ajo… përafërsisht.
Në atë kohë, Rama deklaroi për mediat se: “Kur unë shkova në Beograd për herë të parë, shkova si tradhtar, sepse nga të katër anët, edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë, askush nuk ishte dakord, që unë të shkoja pas asaj që ndodhi me ndeshjen e futbollit. Pastaj papritmas, u ktheva si hero. Por, unë s’jam as tradhtar as hero, unë jam në një detyrë që e bëjë me pasion dhe me gjithë vetëdijen time. Pas vizitës së dytë, unë fola për Kosovën, nuk fola në emër të Kosovës dhe nuk besoj se kam thënë diçka që nuk shkon. Por unë, nuk merrem me çfarë u tha, por merrem me kush e tha, pse e tha, çfarë mund të ketë mbrapa?”
Por edhe pas kësaj, Bukshkalat, Torobellat dhe konet që lehin për kocka, vazhduan ta sulmojnë Ramën, se po ndërhyn në punët e brendëshme të Kosovës, ndërsa takimin e Ramës me Vuçiç, ta etikonin si mohim dhe injorim i krimeve dhe i gjenocidit në Kosovë, ngase Shqipëria, zyrtarisht nuk ka qenë në konflikt më Serbinë!
Asnjë nga këto nuk është e vërtetë, por me tagrin e kryeministrit të Shqipërisë, i takonte e drejta të fliste në emër të bashkëkombësave, që jetonin në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë dhe asnjë fjalë në emër të qeverisë së Kosovës. Mirëpo, për të zezën e tyre, këto antiram, i’a hoqën dhe “iluzionin” e kombit duke deklamuar, se kombi kosovar është… kosovar!
Po përse kjo zhurmë dhe betejë qesharake… politike?! Mos vallë udhëheqësve kosovarë, trojet e kosovës, ju duken si feud i lënë amanet?! Apo kishin frikë, se u binte shkëlqimi si shtetar, që nuk janë as më pak dhe as më shumë të aftë sa Edi Rama, ndaj e sikterrisën me llafe llogje, sa Ramës tani as që i bie ndërmend të harxhoi kohën, me “pronarët”, zyrtarët dhe ovërdarët… e Shqipërisë.
Ndërsa, Berisha dhe berishistat e kanë pa kufij kohën, sa të kenë antiramistët, që nuk “harrojnë”, e hapin luftë me “mullinjtë e erës”, për të mbrojtur kufijtë dhe republikën nga Thaçi dhe… Sorosi. Luftëtarët enverna si Bytyçi dhe Robelli, Bushati, Manjani, Murrizi dhe gjirizi… tani kanë marrë… “yrysh”, për të mbrojtur Kosovën… Berishën.
Mirëpo, Berisha nuk mbrohet, sepse edhe sikur ato krime, që ia adresoi Thaçi publikisht të jenë akuza të rreme, sipas Robellit dhe torobellëve që vijnë pas tij, ka një akuzë të rëndë “ish-i” i përjetshëm: Urdhërimin e ushtrisë dhe policisë për të qëlluar mbi turma! Kjo nuk është akuzë, por krim i rëndë, i pranuar publikisht, nga ai vetë duke deklaruar, se nëse do i lipsej nevoja, do vriste dhe 300 vetë bashkë me Edi Ramën.
Ndaj, largohuni lehësa, se nuk e pastroni dot figurën e Berishës dhe mos u tallni me kosovarët, duke vënë në diskutim veprimet e shtetarëve të një vendi të huaj, ku nuk keni tagrin, as moralin për ta bërë këtë. Nëse Kosova, ju duket si feud i Berishës dhe berishizmit, ndaloni sa jeni në kohë, sepse koha e ëndrrave të tilla… ka vdekur.
Në këto ditë pushimi, edhe Rama kur ka dëgjuar gjithë këto tam tame ciganësh të papunë, “përqejf” ka pyetur veten: Ore a është Kosova Republikë?! Kombi Kosovar, është komb kosovar, apo e ka dëgjuar gabim nga ata që e thanë, me në krye Ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj i Kosovës?!/Ekskluzive.al