Sabri Unal është një nga ata njerëz për të cilët mund të thuhet se ka lindur për së dyti herë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se atij i kaluan sipër dy tanke.
Me të mësuar tentativën për grusht shteti, Unal doli në rrugë duke iu bashkuar mijëra njerëzve në rezistencë.
Një vit pas ngjarjeve historike ai flet për “BBC”, përcjell tvklan.al.
“Pashë tanket që po afroheshin dhe u hodha në rrugë për t’i ndaluar. Në këtë moment u përballa me tankun e parë. Ai nuk ndaloi, më kaloi sipër. Kur u ngrita në këmbë pashë që po vinte tanku i dytë. U rreka ta ndaloj duke ngritur dorën. Megjithëse më pa, as tanku i dytë nuk ndaloi duke më shtypur krahun e djathtë”.
Unal thotë se me lëkurën që i kishin marrë nga këmba i kishin mbyllur plagën në krah.
Ai doli nga spitali tre muaj pas plagosjes.
Duke kujtuar atë natë, ai thotë se brenda tij ka shumë “sikur” dhe se mund të kishte shpëtuar edhe pa u plagosur nëse do të kishte arritur të shmangej pak më shumë majtas, por edhe mund të ishte vrarë nëse do të kishte shkuar të protestonte tek ura e bllokuar e Bosforit.