Nga Luan Banushi
Sot do t’u flas për dashurinë, – nisi bisedën e zakonshme miku im.
– Ç’ne ti me dashurinë, të njohim dhe për njeri zerioz, – foli si me të qeshur njëri nga shokët tanë.
– Për njeriun nuk ka gjë më serioze se dashuria, – vijoi miku im i qetë. – Siç e dini, për dashurinë kanë shkruajtur, shkruajnë dhe do të shkruajnë shkrimtarët, poetët, madje edhe filozofët. Edhe sot dashurohet me po atë pasion si dikur. Ndonëse është një temë përherë e njëjtë, dashuria mbetet përherë e freskët. “Ekzistenca nuk e kopjon kurrë veten. Ajo është gjithmonë e re, gjithmonë e freskët”, thotë Osho. Dashuria është dëshirë për ekzistencë, është ekzistencë. Secili është unik në dashurinë e tij, dashuria na ndodh, ajo nuk mund të mësohet, secili dashuron sipas mënyrës së vet. “Dashuria është një sëmundje njerëzore”, – thotë Stendali, – “ku ilaçi i vetëm për shërim, është të zhytesh në të deri në fund”.
Besoj keni vënë re se të gjithë flasim për dashurinë si për diçka shumë të njohur, flasim për të me entusiazëm, por në thelb nuk dimë ndonjë gjë të madhe rreth saj. “Kur vjen puna te dashuria, të gjithë jemi të paditur”, thotë proverbi. Jo të gjithë njerëzit që kanë rënë në dashuri janë në gjendje të ndajnë me ne përjetimet e tyre. Rëndom asistojmë në biseda për dashurinë, ku përcaktimet e njerëzve janë shumë të thata, shumë të përgjithshme, me fjalë të dëgjuara e stërdëgjuara, ku herë mungon përvoja personale, herë dija e mirëfilltë për të. “Dashuria e zjarrtë, është si fantazmat, të gjithë flasin për të, por askush nuk e ka parë”, thotë La Roshfuko, duket se kështu ka qenë gjithnjë e për të gjithë.
Deri më sot, përkufizimin më të saktë për dashurinë e ka dhënë filozofi i antikitetit, Platoni: “Dashuria është dëshirë për pavdekësi”, por zbërthimin më të plotë, përse dashurojmë, e ka dhënë filozofi Shopenhauer. Dashuria na shfaqet si ndjenjë dhe në kuptim të përgjithshëm përcaktohet: “Ndjenjë e fuqishme, e thellë që të lidh ngushtë me dikë a me diçka dhe që të bën ta duash me gjithë zemër e të mos kursesh asgjë për të”.
Natyrisht, kur përmendim termin dashuri të gjithë kemi parasysh dashurinë seksuale që është dashuria që shfaqet ndërmjet dy njerëzve të panjohur të sekseve të kundërt, mirëpo në fakt për njeriun ka dhe një dashuri tjetër, dashuria e lidhjes së gjakut, që është dashuria e prindit për fëmijën dhe anasjelltas. Dallimet mes këtyre dashurive jepen edhe nga fjalët që përdorim për to. Kështu, për dashurinë mashkull-femër përdorim emër dhe folje, ne themi dashuria dhe dashuroj, ndërsa për dashurinë prind-fëmijë dhe anasjelltas përdorim vetëm emrin, por jo foljen, ne nuk themi e dashuroj prindin, por shprehemi dashuria e prindit për fëmijën dhe anasjelltas.
Të dyja këto dashuri ndodhen brenda nesh, por shfaqen në mënyra të ndryshme. Kështu, dashuria seksuale gjithmonë shfaqet si diçka që na ndodh befas. Potencialisht gjithkush mund të bjerë në dashuri, por si rregull nuk shfaqet tek të gjithë, shfaqet vetëm një herë dhe mbaron. Shfaqet gjithmonë ndërmjet dy njerëzve që nuk e njohin njëri tjetrin. Mashkullit mund t’i shfaqet deri në fund të jetës, ndërsa femra është më e kufizuar.
Dashuria e lidhjeve të gjakut, shfaqet gjithnjë, mund të dobësohet, por nuk mbaron dhe siç kuptohet, shfaqet ndërmjet njerëzve që kanë njohje me njëri tjetrin (thuhet se fëmija e dallon zërin e prindit që në bark).
Këto dashuri ndryshojnë për sa i përket intensitetit dhe kohëzgjatjes. Dashuria mashkull-femër zhvillohet me intensitet të lartë, por ka kohëzgjatje të shkurtër, ndërsa dashuria prindërore (këtu fusim të dyja dashuritë: prind-fëmijë apo fëmijë-prind, pavarësisht se edhe mes tyre ka dallime) zhvillohet me intensitet më të ulët, por ka kohëzgjatje më të madhe, ndoshta përgjithmonë.
Të dyja dashuritë i shërbejnë të njëjtit qëllim: qëllimit të jetës që është vazhdimi i jetës, apo thënë ndryshe, vazhdimit të species, vazhdimit të racës njerëzore dhe në thelb janë instikt. “Çdo dashuri, sado qiellore që të duket, në fakt, i ka rrënjët tek instikti seksual…”, thotë Shopenhaueri për dashurinë seksuale, por edhe dashuria e lidhjes së gjakut i ka rrënjët tek instikti, “Nëna i do fëmijët e saj, jo se i pëlqejnë, por se janë të sajët”, thotë Erik From. Dashuria, pra, ka një qëllim të lartë, gjenerimin e species, për pasojë ajo nuk mund t’i besohet arsyes, por instiktit. Instinkti nuk arsyeton, ka vetëm një kah, atë për të cilin është përcaktuar, ndërsa arsyeja njeh të mirën dhe të keqen, që do të thotë se, siç mund të të dojë me shumë forcë, po me të njëjtën forcë mund të të urrejë, gjë që nuk do të çonte tek seksi, pra tek gjenerimi i species apo tek ruajtja dhe mbrojtja e species (dashuria prindërore).
Më lart përmenda që jo rrallë njerëzve u mungon përvoja personale për dashurinë dhe me siguri po habiteni, si?!, po ne të gjithë kemi dashuruar…., thoni me vete dhe këtu të gjithë keni parasysh dashurinë seksuale. E vërteta është se jo të gjithë kemi dashuruar, por të gjithë ama kemi dashur, këtë duhet ta dallojmë mirë, por për këtë do të flasim një herë tjetër, – përfundoi bisedën miku im.