Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një person është qëlluar për vdekje me armë zjarri tek ish-Poçeria në lagjen Kiras në Shkodër.
Mësohet se viktimë e breshërisë së plumbave poshtë një lokali ka mbetur shtetasi i identifikuar si Fatbardh Lici, 53 vjeç, banues në lagjen Guerile në Shkodër. Viktima është vëllai i Mustafa Licit, kryetar i partisë ‘Mendimi i Djathtë Liberal’, njëherazi edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe kunati i Lul Kullës, i njohur si “i forti” i Shkodrës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore, të cilat kanë filluar hetimet për shkaqet e ngjarjes, ndërsa në fshatin Dobraç është gjetur duke u djegur një mjet tip Benz i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen dhe me autorin e krimit.
Por pavarësisht lidhjeve të tij familjare me të sipërpërmendurit pista kryesore ku po heton policia është ajo e hakmarrjes.
Fatbardh Lici, dyshohet se në vitin 2014 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Kurmemaj, i njohur edhe me mbiemrin Gjipali, ishte i njohur për shpëtimin nga operacionet për arrestimin e tij pasi maskohej në perfeksion dhe arrinte të kalonte gardhin e policisë edhe kur këto ishin njësitë speciale.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vrasja e Licit të ketë lidhje edhe me ngjarjet6 e fundit kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Shkodrës.