Partia më e rrezikuar nga një takim Rama-Basha është Lëvizja Socialiste për Integrim. Momentalisht ajo është bërë bashkë me PD në opozitë, por nuk ka ende një koalicion zyrtar mes tyre. Basha gjithmonë në media e ka shmangur këtë çështje, duke treguar se nuk e mbështet shumë një gjë të tillë. Vetë deputetët kanë qenë më të drejtpërdrejtë, pasi ka shumë nga ata që thonë se nuk duhet të ketë aleancë me LSI. Po ashtu dhe baza demokrate është rrethuar kategorisht kundër.
Por një gjë e tillë ka rritur presionin ndaj LSI. Partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi ditët e fundit ka filluar t’i dërgojë mesazhe Bashës. Disa portale të rreshtuara krah LSI dhe Ilir Metës prej ditësh po shkruajnë se PD dhe LSI duhet që të hyjnë bashkë në zgjedhje. Sipas tyre, PD nuk fiton e vetme prandaj nevojitet një aleancë Basha-Kryemadhi në 2019. Por interesant është fakti se Kryemadhi me Metën e Berishën janë duke ushtruar presion që aleanca të zyrtarizohet që në vjeshtën e këtij viti.
Por një ngulm i tillë tregon se Meta e Berisha i tremben një pakti të dytë mes Ramës dhe Bashës. Kryeministri e paralajmëroi pak ditë më parë se ka gati një ofertë të dytë për Bashën dhe deklaroi hapur se pema e ullirit që u mboll më 17 maj nëse ujitet fillon sërish të lulëzojë. Një deklaratë e tillë duket se ka shqetësuar LSI, e cila në mënyrë indirekte po i kërkon Bashës që të zyrtarizojnë koalicionin.
Opozita ka paralajmëruar një aksion të fortë në shtator dhe PS nga ana tjetër kërkon një tryezë të dytë. Frika e Metës dhe Berishës është se në atë tryezë Basha e Rama mund të bien sërish dakord për t’i bërë “puç’ LSI në zgjedhjet vendore. Një vit më parë falë aleancës Rama-Basha, LSI mori vetëm 19 deputetë. Më 17 maj u ra dakord që të shkohet pa koalicione dhe kjo e dëmtoi jashtë mase LSI e drejtuar nga Ilir Meta. Ftesa e dytë e Ramës e ka shqetësuar sërish Metën, Berishën dhe Kryemadhin dhe kanë filluar të ushtrojnë presion ndaj Bashës që koalicioni mes tyre të zyrtarizohet sa më shpejt.