Gerti Bogdani u pa si një “yll” politik në ngjitje në Partinë Demokratike, teksa e filloi karrierën politike pikërisht nga “baza”, pushteti vendor.
Pasi nuk arriti të gjente hapësira në Partinë Socialiste që ishte hapur katërkanatësh nga Fatos Nano në fillim të vitit 2005 në atë takim me studentët që kishin përfunduar studimet jashtë në përbërje të rrjetit “Studentët për Shqipërinë”, Gerti Bogdani duroi dhe u atashua në PD.
Fillimisht garoi në zgjedhjet vendore të vitit 2007 në njësinë bashkiake nr.10 në Tiranë, ku pas një gare dramatike me kryetaren socialiste të njësisë Mira Veizi, fitoi me pak vota.
As Bogdani dhe as Veizi që dolën me numër të barabartë votash në raundin e parë, nuk preferuan ti nënshtroheshin shortit të “googlave” për të përcaktuar fituesin, por bënë një raund të dytë ku fati i buzëqeshi të riut Bogdani.
Që atëherë karriera e Gerti Bogdanit pati vetëm ngjitje, për t’u bërë kreu i FRPD dhe më pas deputet i Partisë Demokratike për dy legjislatura radhazi.
Njëherësh “trashëgoi” dhe postin e lënë bosh nga Besnik Mustafaj, atë të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, post që institucionalisht e mban dhe sot e kësaj dite.
Por në mënyrë ta pakuptueshme sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, dhe deputeti më aktiv i kësaj partie në Kuvend lihet jashtë listës preferenciale në Tiranë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, dhe nuk u “transferua” në ndonjë qark tjetër për të qënë deputet, sikurse disa nga kolegët e tij.