Një bilanc tragjik raportohet nga fshati Resulaj në Selenicë të Vlorës, ku një 24-vjeçar ka hapur zjarr duke vrarë 8 persona. Sipas informacioneve të para raportohet se mes 8 viktimave janë 2 fëmijë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen e fshatit të njohur si “Lagja e Zykajve” ku banojnë familjet e fisit Zykaj të përfshira në një konflikt pronësie.
Sipas policisë, mësohet se autori i dyshuar është një 24-vjeçar me emrin Ritvan Zykaj. Ai hapur zjarr me armë kallashnikov në drejtim të familjes tjetër duke shkaktuar 8 të vdekur.
24-vjeçari është arratisur nga vendi i ngjarjes ndërsa në ndjekje të tij është vënë policia, FNSH, Delta Force dhe RENEA.
Policia njofton se autori mund të jetë me probleme mendore dhe ka rrezikshmëri të lartë. Për rrjedhojë ndaj tij mund të hapet zjarr nëse është e nevojshme.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 10.08.2018, në fshatin Resulaj, Selenicë, shtetasi Ridvan Zykaj, 24 vjeç, për motive ende të paqarta ka vrarë me armë zjarri 8 persona nga dy familje te fisit Zykaj.
Autori pas krimit është larguar ku forca të shumta të Policisë, Renea, Delta Forcë, Fnsh, dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e tij.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.