Nga Skënder Minxhozi
Ka pasur shumë dëshirë për marrëveshje dhe kompromis në dy raundet e bisedimeve shqiptaro-greke në Kretë dhe Korçë. Kotzias e Bushati kanë hedhur në tryezë një mal me probleme, disa të mëdha e komplekse, e të tjera më të vogla e burokratike. Në të dyja takimet është thënë se është kryer progres domethënës dhe se gjithçka do të kurorëzohet në takimin e prillit mes Ramës dhe Cipras.
Deri këtu gjithçka të bën të mendosh se Greqia dhe Shqipëria po i drejtohen me vullnet politik, një stine të re marrëdhëniesh, krejt e ndryshme nga e para. Më e fortë bëhet kjo përshtypje nga procesi tjetër paralel, ai i zgjidhjes së çeshtjes së emrit mes Athinës dhe Shkupit. Dy procese që duken se mund të hapin një faqe vërtetë të re në këtë pjesë të gadishullit, ku ngricat e ekstremizmit kanë nxjerrë në plan të parë për vite të tëra statujat e shëmtuara prej allçie të Aleksandrit të Madh në çdo cep të Shkupit, ose zhurmën qesharake të palës greke, për garazhet e makinave të shembura në një cep të pluhurosur të rrugës kryesore të Himarës buzë Jonit.
Kjo klimë pozitive e javëve të fundit e sfidon këtë tabllo të ngrirë shumëvjeçare. Me kusht që kështu të mendojnë të gjithë ata që kanë në dorë të hapin dyert e dialogut, në vend të zinxhirëve të ndarjes. Dhe faktorë të tillë ka shumë në hapësirën mes tre shteteve. Para dy ditësh, një manifestim impozant në Athinë duket se kërkonte të kthente pikërisht këtë të fundit: ndarjen dhe urrejtjen mes grekëve e maqedonëve. Çeshtja e emrit (vini re sesi në rajonin tonë grinden ende për absurdin e emrave), hodhi ujë të ftohtë mbi bisedimet greko-maqedone, të kulmuar nga takimet Cipras-Zaev dhe nga hedhja në tryezë e disa alternativave për emrin e ardhshëm të Maqedonisë.
Një efekt të ngjashëm patën, në segmentin Tiranë-Athinë, edhe deklaratat befasuese të Presidentit grek Pavlopulos, i cili tha shkurt dhe qartë se nëse Shqipëria dëshëron të integrohet në BE, duhet të mbyllë gojën. Pra, Pavlopulos na kërcënoi se do të kthehet edhe një herë në policin e traut që na pengon të hyjmë në Bashkimin Europian. Një ngrefosje sa qesharake, aq edhe jashtë kohe e hapësire.
Kreu i shtetit grek i hoqi pluhurin kostumit të vjetër të nacionalistit, duke na kujtuar se me shtetin grek është vërtetë e vështirë të bësh kompromise, të cilat nuk përkojnë me atë që pala greke dëshëron. Kërcënimi i shëmtuar i presidentit grek, që na ofroi integrimin në këmbim të mbylljes së gojës, është zhargoni i vjetër i politikanit ballkanik, të mësuar të qëndrojë me kthetra ngritur, përballë çdo fqinji që që takon rrugës. E të njëjtit format është edhe gjuha e përdorur ndaj çamëve dhe dramës së tyre historike, e cila për 70 vjet rresht është paketuar si “bashkëpunim me nazizmin”, ndërkohë që në thelb ka qenë një tragjedi shpërnguljesh kolektive e dhimbjeje njerëzore.
Kreu i shtetit grek dhe gjuha e tij, tregojnë se syzet e errëta të nacionalizmit ballkanik vijojnë të jenë në modë, megjithëse të gjithë përbetohen se i kanë hedhur nga dritarja. Duke marrë me dëshirë pozitën e atij që kërkon të prishë një proces mjaft premtues dialogu mes dy vendeve, Pavlopulos po i bën në fakt një favor të tërthortë qeverisë shqiptare, e cila orët e fundit e ka parë veten nën një presion të brendshëm në rritje, për shkak të marrëveshjes së ardhshme detare dhe çeshtjes çame. Pavlopulos provoi indirekt, me fjalët e tij, se qëndrimi shqiptar në bisedimet e Kretës dhe Korçës, paska qenë sipas tij i papranueshëm, përderisa është marrë me “të ashtuquajturit çamë”.
Megjithatë ky favor i vogël për Ramën e Bushatin, është një detaj i papërfillshëm, krahasuar me dëmin potencial që qëndrimi i presidentit grek sjell në tryezën e dialogut grek-shqiptar. Vetëm nëse kemi të bëjmë me një lëvizje taktike të modelit serb, ku presidenti Vuçiç bën të moderuarin në raport me shqiptarët, kurse ministri i jashtëm Daçiç skifterin. Nuk dimë sesa e vërtetë është kjo ndarje punësh mes Pavlopulos e Cipras. E vërteta është se tani qeveria greke duhet të sqarojë se cili është qëndrimi zyrtar i shtetit që ajo përfaqëson në tryezat e kompromiseve ku ajo është palë.