Pasuria e 140 deputetëve të Parlamentit Shqiptar shkon në dhjetra milionë euro. Mes tyre ka shumë emra me pasuri shumë të lartë, por gazeta “SOT” ka përzgjedhur 10 emrat që dominojnë. Në pamje të parë rezulton se ata që janë më të pasur, janë biznesmenët. Në bazë të deklarimeve të bëra pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë rezulton se 10 deputetët më të pasur janë: Tom Doshi, Astrit Veliaj, Agron Shehaj, Adnor Shameti, Luan Baçi, Agron Çela, Monika Kryemadhi, Fatmir Velaj, Lefter Koka dhe Anastas Angjeli.
Në listë ka dhe emra të tjerë që mund të shtohen si Sadri Abazi, Halim Kosova, etj., por gazeta është bazuar kryesisht dhe te pasuritë e patundshme të tyre. Në bazë të një bilanci, rezulton se 10 emrat e mësipërm kanë në total 100 apartamente, 26 garazhe, 20 makina dhe rreth 17 mijë metër katror troje. Tom Doshi është ai që dominon sa i takon pasurisë. Sipas deklarimeve ndër vite ai ka pronësi në 15 apartamente, por që disa janë shitur më pas dhe janë blerë disa të tjerë. Gjithashtu ka deklaruar makina me vlerë 68 mijë euro e 20 mijë euro si dhe një orë 14.220 euro. Të ardhurat e Doshit vijnë nga bizneset e tij në fushën e farmaceutikës.
Më pas një tjetër emër është Astrit Veliaj, deputet i Partisë Demokratike. Veliaj është një biznesmen i njohur, pasi ka në pronësi universitetin privat “UFO”. Ai ka deklaruar se zotëron rreth 30 apartamente dhe vila, 3 makina dhe 1185 m2 troje. Një tjetër deputet me pasuri mbi 1 milionë euro është Agron Shehaj. Ai ka deklaruar disa biznese jashtë vendit dhe prej tyre gjeneron miliona euro të ardhura. Po ashtu ka deklaruar dhe 2 apartamente. Mes më të pasurve është dhe deputeti i PS, Adnor Shameti. Ai ka deklaruar në total se zotëron 26 apartamente, ka 23 garazhe, 4 makina dhe 1189 metër katror troje. Po ashtu ka deklaruar dy ora me vlerë 15 mijë dhe 6 mijë euro.
Emrat e tjerë
Doshi, Veliaj, Shehaj dhe Shameti janë 4 emrat më të pasur, ndërsa pas tyre vijën deputetët e tjerë. Mund të përmendim deputetin e LSI, Agron Çela, i cili po ashtu ka një sërë pasurish të patundshme, duke filluar nga truall te Kafja e Madhe në Shkodër me vlerë 900 mijë euro, e deri te zotërimi i 3 bizneseve prej tij dhe familjes së tij. Emri tjetër është Monika Kryemadhi. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se ajo ka përfituar rreth 1 milionë euro nga shitja e 13 apartamenteve, ndërsa zotëron banesë në Tiranë dhe në Gjirin e Lalzit.
Mes më të pasurve renditet dhe deputeti i PS, Fatmir Velaj. Ai nuk ka deklaruar banesa e makina, por vepra arti shumë të shtrenjta. Listës më pas i shtohen emra si Lefter Koka i cili ka në zotërim disa apartamente, si dhe biznese të ndryshme. Listës i është bashkuar dhe Anastas Angjeli, deputet i PS. Edhe ai është pjesë e më të pasurve pasi zotëron Universitetin Mesdhetar, ka disa apartamente dhe makina të shtrenjta. Angjeli ka deklaruar si prona të patundshme: Shtëpi banimi me 450 m2 sip. truall dhe 589 m2 sip. banimi, vlerë 11 500 000 lekë, ndërtuar në vitet 1992-1995. Sipas tij, shtëpia është financuar me të ardhurat e siguruara nga shitja e apartamentit të përfituar nga procesi i privatizimit plus të ardhurat e pjestuara nga shitja e shtëpisë së prindërve të bashkëshortes si edhe kredisë bankare. Ka deklaruar tokë me sip. 440 m2, në rrethin e Sarandës, me vlerë 264 000 lekë, blerë me të ardhurat familjare. Ka deklaruar po ashtu apartament me vlerë 330 000 dollarë në Boston, SHBA, blerë me të ardhurat familjare dhe të ardhurat nga investimet. Si dhe një apartament me sip. 158 m2 në Sarandë. Gazeta më poshtë po publikon vetëm një pjesë të vogël të pasurisë së tyre, pasi volumi që zënë të ardhurat e tyre është shumë i madh./Kliti TOPALLI