Mbrojtësi i majtë 24-vjeçar Besir Demiri ka tërhequr vëmendjen e trajnerit Kristian Panuci, i cili është ende në kërkim për një zëvendësues të denjë për Ansi Agollin në atë pozicion. Mbrojtësi shqiptar nga Shkupi, i cili luan për skuadrën e Mariupolit në Kampionatin ukrainas, është pajisur edhe me pasaportë shqiptare, ndërsa është gati për t’iu përgjigjur thirrjes së teknikut italian të Kombëtares Kuqezi.
Më përpara Demiri ka luajtur edhe për shpresat e Maqedonisë, në plot 16 takime, ndërsa ka debutuar edhe me kombëtaren e parë më 29 Maj, teksa ka luajtur për 7 minuta në një miqësore ndaj Azerbajxhanit. Duke folur për “Supersport”, Demiri konfirmoi se ka vendosur të luajë me Kombëtaren Shqiptare, ndërsa theksoi se ky nuk ishte një vendim aspak i vështirë.
“Mund të konfirmoj se kam vendosur të përfaqësoj kombëtaren e Shqipërisë. Jam profesionist, jetoj nga futbolli dhe duhet të bëj zgjedhjet e duhura, të cilat vlerësoj se do të më ndihmojnë për të ecur para karrierën time. Kam luajtur me Maqedoninë U21 dhe kam debutuar edhe me seleksionin A, por më pas ka munguar ftesa, edhe pse jam aktivizuar rregullisht me ekipet ku kam luajtur.
Jam 24 vjeç dhe karriera në futboll nuk është aq e gjatë sa për të lejuar të injorohemi deri në pafundësi. Shqipëria më vlerësoi në periudhën kur unë jam jashtë planeve të Maqedonisë, kështu që nuk ishte aspak e vështirë të merrja këtë vendim”, tha Demiri për “Supersport”.
Duhet thënë se lojtari ka qenë në projektet e kombëtares së Maqedonisë, por nuk u realizua dhe sic e komenton ai vetë nuk mund të rrinte në një ekip ku i mungonte ftesa e grumbullimit. /Pamfleti Sport
HIGHLIGHTS 2018 Disa prej momenteve më të mira të përmbledhura nga 6 muajt e parë me FC Mariupolin të kaluara në Superligën e Ukrainës mund t’i ndiqni në videon më poshtë. 👇👇
Posted by Besir Demiri Official on Thursday, June 14, 2018