Një 35-vjeçare nga Tirana aksidentoi dje një fëmijë 6 vjeç, i cili, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se i ka prerë rrugën teksa ishte futur me vrap për të kaluar në anën tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 17:10 në Divjakë.
Policia bëri të ditur se fëmija është përplasur për vdekje nga një automjet tip “Benz”, me drejtuese M. Matarangasi, 35 vjeçe, banuese në Tiranë.
Sipas burimeve nga Policia, drejtuesja e mjetit ka qenë duke ecur në një rrugë të mbushur me qarkullim dhe sapo ka dalë nga trafiku i rënduar, ajo ka rritur shpejtësinë për të vijuar më tej rrugën më e lirë. Por në këtë çast, siç tregojnë burimet për Panorama, dyshohet që fëmija ka tentuar të kalojë më shpejtësi rrugën.
Pas përplasjes me këmbësorin e vogël, shoferja ka tentuar t’i vijë në ndihmë vogëlushit së bashku me shumë qytetarë të tjerë në vendngjarje, por çdo gjë ka qenë e kotë.
Djali i mitur, me inicialet A.A., nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, të cilat, sipas mjekëve, i kanë prekur organet jetësore, duke i dëmtuar rëndë ato. Vetë e reja ka lajmëruar Policinë, ku u ka bërë me dije aksidentin, ndërsa blutë, pasi kryen veprimet e para procedurale, e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnje për hetime të mëtejshme.
“Ishte vetëm një sekondë. Edhe pse frenova gozhdë, fëmija u fut para makinës. Makina nuk kisha shpejtësi shumë të lartë, por fëmija po. Ai hyri me vrap të pakontrolluar. U përpoqa, por nuk ia dola”, ka deponuar ajo.
E reja mësohet se ka rreth 7 vjet që drejton automjetin dhe në emrin e saj nuk ka pasur gjurmë të problemeve në drejtim. Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekjen në pak ditë, i shkaktuar nga një grua në timon, pas atij në Kodër Kamzë, ku humbën jetën një 29- vjeçar që ecte me biçikletë dhe një e mitur 7-vjeçare, ndërsa mbetën të plagosur nëna dhe motra e saj.