Deklaratat e avokatity Spartak Ngjela kohë më parë për 400 oficerë rusë që do të destabilizonin Shqipërinë sipas tij duket se nuk ka kaluar pa u vënë re nga ambasada ruse në Tiranë.
Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Alexander Karpushin në një delkaratë për emisionin “Tonight” të Ilva Tares thotë se influenca dhe agresioni rus në Ballkan janë terma “bombastik” të shpikura nga gazetarët.
ambasadori rus përmend edhe deklaratën e avokat Spartak Ngjela, që tha se 400 oficerë rusë kanë hyrë në territorin shqiptar me qëllime destabilizimi.
“Ku kanë përfunduar këta “oficerë”? Vetëm zoti Ngjela mund ta dijë këtë gjë. Dhe ky është një shembull shumë karakteristik”|, thotë ai.
Deklarata e plotë:
“Materialet e mediave perëndimore kushtuar temës së Rusisë ka shumë kohë që nuk mund të shihen si burime të informacionit të vërtetë dhe objektiv. Shtrembërimi i rolit real të Rusisë në çështje ndërkombëtare është bërë praktikë e përditshme për to.
Prandaj, nuk përbën asnjë surprizë që edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian e kanë lidhur me faktorin rus.
Të them të drejtën, është shumë e vështirë të flasësh për të gjitha këto në mënyrë serioze, pasi shprehje të tilla si “agresioni rus”, “ekspansioni rus”, “ndikimi rus” janë bërë përfundimisht pjesë e zhargonit të gazetarëve, dhe jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në Shqipëri, dhe tregojnë vetëm dëshirën e mediave për të rritur popullaritetin e tyre me anë të titujve “bombastikë”.
Është për të ardhur keq që edhe ekspertët shqiptarë bien pre e kësaj mode të re. Dhe është akoma më e trishtueshme që pas akuzave që ngrihen ndaj Rusisë nuk qëndron asnjë provë. Mjafton të rikujtohet deklarata e famshme e analistit të njohur Spartak Ngjela, sipas të cilit gjatë protestës së opozitës vitin e kaluar në Shqipëri ishin futur “mbi 400 oficerë rusë” me qëllim destabilizimin e vendit. Ku kanë përfunduar këta “oficerë”? Vetëm zoti Ngjela mund ta dijë këtë gjë. Dhe ky është një shembull shumë karakteristik.
Po të flasim për vetë Bashkimin Evropian, ne deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjëherë që përfaqësuesit zyrtarë të BE-së të kenë shprehur ndonjë shqetësim lidhur me rritjen e së ashtuquajturës “influencë ruse” në Ballkan.
Interesat e Rusisë në shtetet ballkanike janë krejtësisht të njëjtë me interesat e saj në rajone të tjera të botës dhe synojnë ndërtimin bashkë me partnerët të një dialogu të barabartë në bazë të respektit reciprok, një bashkëpunim pragmatik ekonomiko-tregtar, si edhe një ndërveprim energjik në fushën e kulturës dhe atë të arsimit. Dhe meqë ra fjala, Rusia kurrë nuk ka dalë kundër perspektivës evropiane qoftë të Shqipërisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit”. (B.H/Faxweb)