Duket sikur fjalët e hedhura përditë me vrullin e një Niagare i merr era e nuk mbillen në kokët bosh të disave, por kështu nuk është. Si uji që gërryen shkëmbin, fjalët, thirrjet për asgjesimin edhe fizik të kundërshtarit, mbeten
Alba Malltezi
Në politikë, në rrjete sociale ka disa individë që nxitjen e urrejtjes e kanë tashmë profesion. Pa arsye, pa fakte, nxisin mbështetësit të urrejnë jo vetëm kundërshtarët e tyre, por edhe miqtë e familjarët e kundërshtarëve. Marrin misionin e gjykatësve pa gjyq në shoqëri e rrjete sociale. Prej shumë vitesh luajnë me armën më të rrezikshme që mund të mendohet për një shoqëri ende në zhvillim: urrejtjen dhe vetëgjyqësinë.
Duket sikur fjalët e hedhura përditë me vrullin e një Niagare i merr era e nuk mbillen në kokët bosh të disave, por kështu nuk është. Si uji që gërryen shkëmbin, fjalët, thirrjet për asgjesimin edhe fizik të kundërshtarit, mbeten. Në një vend ku ende pak respektojnë Shtetin, ku armët janë në duar të disave, është rrezik i madh të luash syllambyllazi me nxitjen e urrejtjes. Sidomos liderët më karizmatikë politikë duhet të ndryshojnë gjuhën, të masin fjalët.
Po kështu dhe disa analistë e gazetarë fjalëvrarë: gjuha e tmerrshme e urrejtjes duhet ta braktisë Shqipërinë, ndryshe, disa keqkuptojnë dhe mund të shkaktojnë tragjedi për një grindje në radhë dialize (e kujtoni tragjedinë me 4 viktima në Spitalin Amerikan) apo me një automatik në dorë, të shuajnë familje për një grindje, a një fjalë. Sepse të çmendurit e ndjejnë veten superiorë mbi të gjithë: edhe mbi shtetin dhe jetën e njerëzve.