Melbourni i Australisë është zhvendosur për herë të parë nga Vjena, në majën e indeksit global të jetueshmërisë, të hartuar nga “Economist Intelligence Unit”, duke përforcuar në këtë mënyrë pretendimin e kryeqytetit austriak se është qyteti më i këndshëm në botë ku mund të jetohet.
Këtë vit, kërcënimi thuajse inekzistent për sulme terroriste krahasuar me vende të tjera të Europës perëndimore, por edhe normat tejet të ulëta të kriminalitetit, e kanë ndihmuar Vjenën të ngjitet në majën e studimit.
Vjena kryeson prej kohësh mbi një sërë qytetesh për nga cilësia e jetës, sipas vlerësimit të hartuar nga firma konsulente “Mercer”. Por, kjo është hera e parë që kryeson edhe në studimin e “EIU”-së, që ka nisur të hartohet në formën aktuale që prej vitit 2004.
Në ekstremin tjetër të tabelës së renditjes, Damasku ruan sërish vendin e fundit, i ndjekur nga Daka e Bangladeshit dhe Lagosi i Nigerisë. Studimi gjithsesi nuk përfshin disa prej kryeqyteteve më të rrezikshme të botës, si Bagdadi apo Kabuli.
“Ndërkohë që në vitet e fundit qytete të ndryshme në Europë janë prekur nga përhapja e kërcënimeve të perceptuara me natyrë terroriste në rajon, gjë që ka shkaktuar forcimin e masave të sigurisë, viti i kaluar ka shënuar një rikthim në normalitet”, thekson “Economist Intelligence Unit” në raportin e kësaj të marte.
“Prej kohësh pretendente për majën e vlerësimit, Vjena arrin më në fund të zbresë nga froni Melbournin, për shkak të rritjes së vlerësimeve në kategorinë e qëndrueshmërisë së kryeqytetit austriak”.
Vjena dhe Melbourni regjistruan pikët maksimale sa i përket kujdesit shëndetësor, arsimit dhe infrastrukturës. Por, nëse Melbourni zgjeron edhe më tej kryesimin në komponentët e kulturës dhe mjedisit, ky zgjerim është sfumuar nga përmirësimi i stabilitetit të Vjenës.
Osaka, Calgary dhe Sydney kompletojnë 5 vendet e parë të studimit. Londra, për shembull renditet e 48-a këtë vit.