Edhe pse kanë kaluar 25 vite nga ekzekutimi i deputetit të PD-së Azem Hajdari, shkaqet e vrasjes së bujshme dhe personat e implikuar mbeten mister. Shtatori pritet të sjellë zhvillime të bujshme në politikën dhe drejtësinë shqiptare, dhe një pikë e nxehtë mbetet dosja “Hajdari”.
E veja e tij, gjyqtarja Fatmira Hajdari edhe pse ka deklaruar se vrasja e bashkëshortit të saj është për motive politike ka qenë e tërhequr në reagimet publike. Vetë familja Hajdari nuk duket e interesuar të hapet kjo dosje. Vajza e të ndjerit Rudina Hajdari, njëherësh deputete e PD, ka lënë të nënkuptohet se nuk duhet të merren më me këtë çështje. Kjo duket e komplikon situatën, por Haxhia ka thënë se do lëvizë të gjithë gurët që ngjarja të zbardhet edhe pse dosja është në ngërç.
Gjyqtarët refuzojnë të marrin në dorë dosjen. Skema që ata po ndjekin është se përdorin bashkëshorten e Azem Hajdarit. Fatmira Hajdari momentalisht është gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe shumica prej tyre kanë qenë pjesë e trupave gjyqësor me të refuzojnë gjykimin. Këtë gjë deklaroi pak ditë më parë gjyqtari Shkëlqim Mustafa, i cili u dorëhoq si relator i çështjes së Izet Haxhisë. Ai u shpreh se duke qenë se ka njohje me zonjën Hajdari dhe ka gjykuar disa raste me të, nuk mund të jetë pjesë e kësaj çështje. Por nga një verifikim i listë së gjyqtarëve të Apelit Tiranë nga “Sot”, rezulton se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë që të gjithë pjesë e trupave gjyqësore bashkë me Fatmira Hajdarin. Në shator do të hidhet shorti i ri dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. Por sipas precedentit që krijoi Mustafa, mund të ketë dhe emra të tjerë që do të dorëhiqen. Po ashtu nuk është çudi që në disa raste dhe vetë Haxhia të kërkojë përjashtim për shkak të lidhjeve të gjyqtarëve me çështje të tjera të dosjes “Hajdari”.
Nëse i shohim të gjithë skenarët që mund të ndodhi, nuk është çudi që shumica e emrave të mos pranojnë të jenë pjesë e trupit gjykues. Atëherë në këtë moment do hyjë në lojë KLD. Më 18 janar 2018 KLD ka marrë një vendim ku janë deleguar plot 113 gjyqtarë për të gjykuar raste të posaçme në Apel për shkak të vakancave të krijuara. Kjo do të thotë se e njëjta rrugë do mund të ndiqet dhe për Izet Haxhinë nëse ndodh që nuk plotësohet trupa gjykuese.
Nëse çështja arrin deri aty sa do duhet të ndërhyjë KLD për rastin e Izet Haxhisë, atëherë situata do bëhet mjaft komplekse. Në krye të KLD është Ilir Meta. Izet Haxhia e ka akuzuar drejtpërdrejt se ai me Sali Berisha, Pandeli Majkon dhe Genc Pollon kanë tentuar të organizojnë një puç për eliminimin e tij. Nga ana tjetër anëtarë të KLD janë të gjithë të emëruarit e Sali Berishës.
Pra janë 3 skenarë me të cilët mund të përballet Haxhia në shtator.
Skenari i parë dhe që e presin të gjithë është që të hidhet shorti dhe të përcaktohet direkt trupa gjykuese.
Skenari i dytë është që shumica të refuzojnë gjykimin për shkak të njohjeve me bashkëshorten e viktimës dhe skenari i tretë është të ndërhyjë KLD.
Në Janar KLD krijoi një precedent, ku nëse në një çështje krijohen vakanca, atëherë mund të delegohen gjyqtarë nga gjykata të tjera. Nëse ndodh që në rastin “Haxhia” askush nuk do të gjykojë, atëherë do thirren gjyqtarë Apeli nga rrethet.