Një kompani e regjistruar në Angli, por me pronar një mjek me origjinë nga India, me 10 mijë paund kapital, ka hyrë në tregun shqiptar, duke marrë në pronësi pasuri troje dhe objekte, që më parë i përkisnin shoqërisë problematike të përpunimit të naftës ARMO. Pronat shtrihen në një zonë midis Fierit dhe Vlorës.
Dje në media të ndryshme ka qarkulluar njoftimi se ARMO ka ndryshuar pronar, pas largimit të kompanisë Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC), që kishte marrë të drejtën e shfrytëzimit të saj. Por fjala është vetëm për disa prona të ndërmarrjes së përpunimit të naftës, të cilat në tetor të vitit 2016 ishin blerë, në një nga ankandet e organizuara prej përmbaruesve, nga një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri.
Blerja në vlerën 3.1 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë, u bë për 54 pasuri. Në këto troje ndodhen edhe objekte në shërbim të gjigandit të përpunimit të naftës, i cili aktualisht është përfshirë në një valë sekuestrosh për shkak se ka akumuluar borxhet afërsisht 600 milionë euro ndaj shtetit, bankave dhe subjekteve private.
Kompania
Allum Enterprises sha, degë e Allum Enterprises limited, e regjistruar në Londër, njoftohet se ka kryer transaksionin, duke marrë nga banka ish-pronat e ARMO-s, pasi ka marrë prej saj një kredi me një vlerë prej afro 2.3 miliardë lekësh.
Të bën përshtypje fakti që kjo kompani, e krijuar një vit më parë, është drejtuar në fillim nga Suman Mitra, me profesion hotelier dhe aktualisht nga Ajit Prasad, me profesion mjek. Të dy kanë nënshtetësi britanike dhe janë me origjinë indiane.
Kompania nuk ka ende një bilanc të deklaruar të xhiros apo fitimeve dhe nuk ka patur aktivitete të tjera në Shqipëri. Megjithatë, mund të mendohet se çdo institucion bankar ka politikat e veta sa u përket garancive për veprimet e saj dhe nuk mund të bëjë veprime që i dëmtojnë interesat.
ARMO
Privatizimi i ndërmarrjes së vetme të përpunimit të thellë të naftës në vend ka rezultuar problematik. Në vitin 2008, ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar.
Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.
Objekti më i madh i kompanisë, rafineria e Ballshit, qëndron e mbyllur prej disa muajsh duke shkaktuar dhe protestën e 1.200 punonjësve. Të gjitha shitjet apo dhëniet me qera të kompanisë, të cilat kanë rezultuar me pasoja të rënda për buxhetin janë bekuar nga qeveritë. E fundit ishte marrja me qera nga IRTC në fund të 2016-ës, që edhe pse u cilësua si sukses nga qeveria i shkaktoi buxhetit një dëm prej mbi 30 milionë euro për taksa të papaguara.
Në janar të këtij viti, edhe një rafineri tjetër e ARMO-s, ajo e prodhimit të bitumit, e cila ndodhet në Fier, u shit në ankand për 5 milionë dollarë nga përmbaruesit. Blerësi ishte AL.Global Oil, një kompani e krijuar në vitin 2016, e cila kishte në bordin mbikëqyrës dy sipërmarrës të njohur në fushën e naftës, Shefqet Kastrati i grupit më të madh të naftës në vend, “Kastrati” dhe Frident Kuqi i “Europetrol Durrës Albania”, operatori i dytë më i madh i naftës në vend./Shqiptarja.com