Thellohen përplasjet mes organeve të vetingut. Përveç Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të pakënaqur nga vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka mbetur edhe Komisioneri Publik. Përmes një njoftim të publikuar ditën e djeshme në faqen zyrtare, Komisioneri Publik zbuloi se ka ankimuar vendimin e KPK për gjyqtaren e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Brati, njëherësh kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në vlerësimin e Komisionerit Publik, hetimi i KPK-së për rastin e gjyqtares nuk është i plotë, duke shtuar se e ka çuar çështjen në Komisionin e Pavarur të Apelimit. Madje, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.
Në njoftimin e tij, Komisioneri Publik vlerëson se vendimi nr. 32, datë 5.7.2018 i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sa i takon gjyqtares Alma Brati, përmban mangësi në hetimin dhe kontrollin e kriterit të pasurisë. Në këtë kontekst, Komisioneri theksoi se arsyetimi dhe përfundimet e KPK-së, në vështrim të provave të administruara, nuk të krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.