Partia Socialiste nuk është kundër idesë për të futur në veting edhe kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit që pritet të zgjidhet në dhjetor. Madje, deputeti i PS për qarkun e Fierit, Bujar Çela, u shpreh se jo vetëm drejtuesi i KLSH, por edhe shumë emra të tjerë të institucioneve shtetërore duhet të jenë të pastër.
Sipas tij, vendi ynë e ka pësuar mjaftueshëm nga drejtuesit me probleme e për këtë arsye tani gjërat duhet të marrin trajtë më serioze. “Absolutisht që po sipas meje! Të gjitha figurat e të gjitha niveleve të përfaqësimit duhet që domosdo të rrezatojnë jo fukarallëk, por domosdoshmërish pastërti të plotë dhe të jenë mundësisht të palakueshëm nga çdo krah i ndershëm politik!
Në Parlament nuk duhet të vijnë figura kandidatë pa kaluar vetingun! Kemi patur boll raste dështimesh dhe kjo nuk është serioze!”, deklaroi Bujar Çela. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe përfaqësuesi i PS në Tiranë, Xhemal Qefalia. Por ai e la mundësinë të hapur, duke theksuar se jo për çdo pozicion shtetëror duhet veting.
“Nuk do të kishte asgjë të keqe që t’i nënshtrohej vetingut, por nuk mendoj që vetingu është domosdoshmëri për çdo funksion shtetëror”, tha Qefalia. Ndërsa për deputetin e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Andrea Marto pengesa e vetme për ta bërë diçka të tillë realitet qëndron vetëm tek përcaktimi në ligj. “Mirë do ishte, por duhet të ishte parashikuar në ligj”, nënvizoi Marto.
Pra, socialistët shprehen pro idesë për të vetuar prentendin për të marrë postin e drejtuesit të KLSH. Megjithatë mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim sepse problem mbetet përcaktimi në ligj. /Mimoza Ibra