Socialistët paralajmërojnë Berishën
Por teksa demokratët janë rreshtuar në unison për të nisur në shtator aksionin politik kundër qeverisë, socialistët nuk i kanë kursyer paralajmërimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Duke u ndalur tek deklarata e Berishës për nisjen e revoltave, deputeti Bujar Çela në një reagim të dhënë për gazetën u shpreh se ish-kryeministri po i bën këto thirrje nga frika e reformës në drejtësi. “Po ulërin si ujku që në pyll s’po gjen më ushqim dhe këto janë ulërimat e tij të çmendura drejt fundit të tmerrshëm që e pret nga reforma në drejtësi! Në rast se kjo reformë nuk shkrumbon, shkrin Berishën dhe gjithë kazanin e tij atëherë qenkemi të gjithë të gënjyer.
Kjo do të quhej flluskë sapuni me plotë gojën dhe ne prej 3 vitesh i paskemi rënë një defi të shpuar. Qenkemi tallur me veten, ndërkombëtarët dhe gjithë popullin!”, u shpreh deputeti Bujar Çela. Ndërkohë, nga ana tjetër, këto deklarata nuk janë marrë parasysh nga ana e deputetit socialit Andrea Marto.
Sipas deputetit Marto, PD gjatë kohës që është në pushtet vetëm thirrje për përmbysje pushteti bën. Deputeti Marto u shpreh gjithashtu pesimist nëse aksioni politik i PD në shtator do të merret seriozisht nga qytetarët. “Gjatë gjithë kohës që është PD në opozitë, vetëm thirrje për përmbysje bën.
Nuk mund të pranojë që vendin të qeveriset nga forcë tjetër politike. Besoj se nuk e merr kush seriozisht…”, tha Marto për gazetën. /Endri Arizi