Vetingu ka alarmuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në një kohë kur është mbyllur faza e parë e vetingut dhe 21 gjyqtarë nuk arritën të justifikonin shumat marramendëse të pasurisë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kur nga ana tjetër ONM i ka kërkuar Komisionerit Publik, për të apeluar dhe 5 subjekte pranë KPA, Këshillin e Lartë të Drejtësisë duket se e ka zënë frika.
Prej disa ditësh KLD, ka bllokuar të gjitha të dhënat e gjyqtarëve dhe inspektorëve në faqen zyrtare në internet. Me argumentimin se po riparohet faqja, KLD ka vendosur që përmes një lëvizje strategjike të mbulojë të gjithë të dhënat duke mos lejuar akses operimi në rrjet. Por pse duhet të trembet KLD dhe pse duhet të mbajë përgjegjësi mbi situatën sot në drejtësi?
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni që ka bërë dhe emërimin e të gjithë subjekteve të shkarkuar nga procesi i vetingut. Shumica e këtyre gjyqtarëve me pasuri marramendëse janë emëruar në kohën e ish-presidentit Nishani dhe KLD ndaj të gjithë këtyre subjekteve ka shmangur përgjegjësitë e saj duke mos marrë masa dhe pse një pjesë e tyre kanë qenë të korruptuar.
Por pavarësisht këtij fakti, KLD nuk ka marrë përsipër asnjë përgjegjësi edhe ndaj atyre subjekteve që ka pasur denoncime nga ana e Ministrisë të Drejtësisë. Por krahas këtyre fakteve, KLD edhe gjatë zhvillimit të procesit të vetingut, gjatë bashkëpunimit me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka dërguar vetëm informacione pozitive ndaj të gjithë gjyqtarëve që kanë kaluar në sitën e vetingut duke u përpjekur që t’i ndihmojë këta të fundit.
Inspektorët e KLD edhe pse kanë detyrë që të kryejnë hetime të thelluara ndaj të gjithë subjekteve të gjyqësorit, ata asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë duke neglizhuar totalisht detyrën e tyre. Detaj ky që u pa dhe gjatë fazës së parë të vetingut, ku inspektorët nuk depozituan asnjë kërkesë për të marrë masa disiplinore ndaj qoftë edhe një gjyqtari të caktuar. Por pikërisht kjo gjë, duket se e ka futur në panik KLD-në, e drejtuar nga Meta, e cila ka vendosur që përmes një lëvizjeje surprizë të bllokojë të gjitha dhënat e gjyqtarëve dhe inspektorëve duke shmangur në një farë mënyre përgjegjësitë për emërimin e të gjithë gjyqtarëve të korruptuar/Endri Arizi