Shkencërisht, nga pikëpamja antropologjike, shqiptarët e sotëm janë dolikocefalë si helenët e dikurshëm, kurse grekët e sotëm janë brakicefalë, përzierje kelto-sllave.
Në fakt, këtë konkluzion të filozofit francez Alfred Fouillée (maj 1898), Faik Konica e kishte paraqitur me argumente të fuqishme historike që një vit më parë në shkrimin e tij te “Albania” famëmadhe, “Legjenda qesharake” (mars 1897). Çka bie dukshëm këtu në sy është fakti se shkrimet e “Albanias” të Konicës jo vetëm tërhiqnin vëmendjen e publikut të huaj të kohës, por edhe po bëheshin objekt studimi nga personalitete të shquara të shkencës, për vetë origjinalitetin që paraqisnin dhe sidomos e në radhë të parë për forcën e tyre konkluduese.
Konica parashikoi, Konica vërtetoi, Konica polemizoi gjer me personalitete e organe në zë të kontinentit të vjetër. I vuri pikat mbi “i”, ngaqë fort në qafë i bihej Lokes së tij Shqipëri. Veç ai dinte ta mbronte si askush tjetër. Sepse e ka thënë tashmë për të Gijom Apolineri, poeti i madh që fliste gjuhën hyjnore të qiejve: “Ky dijetar (Faik Konitza) është në llojin e tij një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun”. Që do të thotë, as më shumë e as më pak, të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin tjetër Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. Ja kush ishte Gjigandi Konica për Apolinerin.