I afërmi i Admir Borkinës, që humbi jetën në Itali ditën e djeshme si pasojë e shembjes së urës në Xhenova ka rrëfyer mes lotëve se si e njohu që 32-vjeçari ishte i afërmi i tyre.
Mes tronditjes së thellë, Ruzhdi Mashku konfirmoi për ”News 24” faktin se përveç Bokrinës, në makinë ishte dhe një tjetër shqiptar, Marjo Djerra. Po ashtu ai tha se i afërmi i tij ishte mik me viktimën dhe se Admiri punonte në një fabrikë. Më tej ai shtoi se një ditë më parë i afërmi i tij festoi 3-vjetorin e martesës, ndërsa viktima u njoh nga një tatuazh që kishte në trup.
“Një ditë para se të vdiste, Admiri ka festuar 3 vjetorin e martesës. Që prej moshës 12 vjeçare ka shkuar në Itali. Ai dje po shkonte në punë. Trupi është identifikuar përmes një tatuazhi në trup. Prindërit e tij janë nisur drejt Italisë mëngjesin e kësaj të mërkure. Fillimisht të afërmit janë bërë merak se nuk përgjigjej në celular. Admir Bokrina jetonte me bashkëshorten në Itali. Ishte bashkë me një shok kur ndodhi tragjedia”, tha Ruzhdi Mashku.
Deri më tani raportohet për 39 viktima ku mes tyre ka edhe fëmijë. Ura mban emrin e inxhinierit Rikardo Morandi. U ndërtua në vitin 1967 nën shembullin e urës së Bruklinit. Ura i është nënshtruar disa herë riparimit dhe inxhinierët kanë shprehur shpesh shqetësimin për problemet e vazhdueshme që ka shfaqur.