Nga Luan Banushi
E dini, – nisi të flasë miku im, – falë një ngatërrese të vockël, ndodhur shumë kohë më parë, ruaj një kujtim të bukur… Lokali i tretë që nuk kishte vende. Kishim rreth një orë që po kërkonim vend të pinim një gotë e të bisedonim. Shoku im duket se u bezdis.
U kam folur për të. E kam fjalën për atë që fliste me simbole, që ishte dhjetë vjet më i madh se unë. Takoheshim herë pas here dhe bisedonim për artin, filozofinë, letërsinë, pikturën, muzikën, për jetën, femrën apo edhe për gjëra më praktike, si profesioni.
Asnjëherë nuk flisnim për politikën. Edhe kur thosha unë ndonjë pakënaqësi, ai me shumë kujdes ndërronte bisedë. E bën për të më ruajtur mua, mendoja unë (siç u kam thënë, ai kishte një cen në biografi), por në fakt edhe pas ndryshimit të sistemit, ai njeri nuk u qa kurrë, kurrë nuk e pa veten si viktimë të sistemit.
Ishte i plotësuar, nuk kishte rëndësi sistemi për tê. Natyrisht, ai fliste më shumë, por edhe unë xheç kisha filluar të plotësohesha. Bisedat tona gjithnjë bëheshin më të këndshme. Më dukej se merrja energji.
Shoku im, qëndroi një copë herë pa folur, pastaj tha: “Shkojmë se mos gjejmë ndonjë vend nga klubi i shkrimtarëve?”
Edhe pse le e rrit në Tiranë, kur i thonë, nuk kisha qenë asnjëherë tek Klubi i Shkrimtarëve dhe i Artistëve. Nuk e di, po më dukej se nuk më takonte të isha atje. Propozimi më erdhi tepër joshës, ndonëse me vete thosha: “Ku do gjejmë vend ne atje?”
Hymë brenda, i hodhëm një vështrim tërë sallës dhe për çudi, ishte një tavolinë bosh. “Ulu”, – më tha shoku dhe vetë u drejtua për tek banaku. Dukej qartë që nuk e kishte për herë të parë. Aty ishte vetshërbim.
Pas pak erdhi me dy dopio raki. Më pas solli dy konserva sardelesh. Pastaj shkoi prapë tek banaku për të përgatitur mezet: pak djathë, ullinj, sallam e ndonjë gjë tjetër. Duhet të shtoj se binte në sy edhe mënyra e shërbimit të tij, me shumë kulturë. Po vonohej.
Atë ditë kisha veshur pallton e re me ngjyrë kafe, që më kishin thënë se më shkonte. Kështu që u ndjeva mirë që ndodhesha në lokalin e shkrimtarëve dhe artistëve. Pasi u rregullova në karrike, nisa të rrok me sy tavolinat me radhë. Nuk më doli asnjë i njohur. Ndoshta ishin shkrimtarë të panjohur për mua ose do ishin njerëz si ne.
Kur nja dy tavolina më tutje, por që shihej mirë nga pozicioni im, ishin ulur disa aktorë të mirënjohur të Teatrit Popullor: Qenan Toro, Luan Qerimi dhe nja dy të tjerë, që nuk më kujtohen tani, si dhe Kadri Roshi, i cili kishte fare pak kohë që ishte kthyer përsëri në Teatrin Popullor, pas një dënimi “Me riedukim në punë prodhuese”, kështu emërtohej dënimi (nuk më kujtohet se për çfarë e dënuan).
Edhe pse jetoja në Tiranë, edhe pse i kisha ndjekur në rolet e tyre, si në teatër ashtu edhe në filma, kaq nga afër nuk kisha qenë ndonjëherë me këta aktorë të shkëlqyer. Më kapluan emocionet.
Kisha fare pranë të madhin Kadri Roshi, kështu që më mbeti vështrimi tek ta. Bisedonin, qeshnin me njëri tjetrin dhe unë nuk ngopesha duke i parë. Duket se hodhën short se kush do paguante tavolinën, se i pashë në dorë Kadriut një letër me vrimë.
Vetiu mu shkëput vëmendja prej tyre dhe diç po mendoja, kur dëgjoj lëvizje karrikesh. Hodha vështrimin nga zhurma dhe pashë se aktorët po bëheshin gati të iknin. Rruga për tek dalja kalonte nga tavolina ku isha unë. Në krye po dilte Kadriu. Kur u ndodh pranë meje, me buzën në gaz, siç ia njohim të gjithë, u përkul pak drejt meje, duke më përshëndetur me respekt: “Natën e mirë”.
Të njëjtën gjë bënë të gjithë aktorët me radhë. I turbulluar, sa nga emocioni aq dhe nga habia, i përshëndesja me kokë, duke mërmëritur: “Natën e mirë”. Kuptohej qartë që më ngatërronin me dikë, por unë prapë ndjeva një lloj kënaqësie.
Ndërkohë erdhi shoku im me dy pjatat me meze. Ia thashë ngjarjen dhe, i sigurt se nuk do të merrja përgjigje, lëshova pyetjen retorike: “Me kë më ngatërruan vallë?”
Ai, pa treguar asnjë lloj habie, më kapi nga mënga e palltos dhe tha: “Nga kjo”. Nuk kuptova gjë.
“Si nga kjo?”, e pyeta.
“Të kanë marrë për njeri të sigurimit, se ata veshin të tilla pallto”.
“Dreqo punë. Po kjo?!”
“Me pallto kafe po, një më i moshuar që i shërben këtij të riut me pallto kafe, u bënë dy, ai vështrimi im zhbirues, pa ua ndarë sytë… Po, po, plotësoheshin tamam kushtet e një sigurimsi, nuk kishin faj në gjykimin e tyre”, hej bela. Edhe nëse donin të rrinin më gjatë, aktorët u ngritën më herët “për shkakun tim”, mendova.
Atëherë mbeta pa fjalë, por tani e kujtoj me ëndje që i madhi Kadri Roshi më përshëndeti, pavarësisht se nuk më takonte mua përshëndetja e tij, – përfundoi bisedën miku im.