Nga Anri Bala
Media kush… ky han… ky kazan… ky kanal llumi… apo kjo pordhë gjumi?!
Nuk mund të quajmë media, çdo “kazan hani”, prej nga dalin gjatë vlimit si borie, “ndotjet” e gjithfarë konellapsi, për t’i hedhur tek shkallët e çdo porte “bujare”! Të zë frika kur sheh të ngrihet në piedestal, çdo lloj marrëzie, ku gazetarë e pronarë mediash fërkojnë duart e drejtojnë lutjet në gur, hekura e dërrasa, me shpresën se marrëzia do të prodhojë lajm… si shpifje e sajuar mirë! Por kur zbulohet shpifja, nëse jemi me “fat”… ata as nuk skuqen e as nuk zverdhen, sepse pronarët e “kazanit të hanit”, nuk ka ngelur i madh edhe i vogël, pa i fyer dhe mallkuar, prej mënxyrave dhe poshtërsive… po prapë ata nuk lëvizin nga istikami!
Madje më kot prisni të nxihen në surrat, kur gjysma e pronarëve të “kazan-haneve”, janë trafikantë ose hajdutë, ndërsa pjesa tjetër që mbetet, një tufë batakçinjshë, që majmen çdo ditë me paratë tuaja, madje guxojnë t’iu mashtrojnë, intimidojnë, për t’iu grabitur po ju… ty mor zotëri edhe mua bashkë me ty! Mos u habit aspak, në fund të ditës je ti që mashtrohesh, je ti që manipulohesh dhe nëse dy të paratë japin rezultat tek “bamirësi”… me një “përshëndetje” poshtë tavoline, je po ti që vidhesh! Pra, në luftën media-pushtet… gjithmonë në fund “gjobitet” qytetari!
Por së fundi, nga azili i ulokëve, plaku digjital, i cili ka zënë rehati mbi “pelena të buta”, për nderet që i kemi bërë, jo ne por politika dhe drejtësia, duke e lënë të “qetë” në krimet e tij, na u dashka t’i dëgjojmë dhe “krismat” e barkut, që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me informimin… por me helmimin, me anë të shpifjes sipas postulatit: “Pirdh pirdh se lirohesh, e pak erë do të mbetet”.
Por, as mediat dhe as pelenat digjitale nuk kanë faj, përderisa qelben erë kilometra larg, sepse nuk ndërrohen. Fajin e ka ligji i këtij shteti, kur “neni 13” për mediat, ai i shpifjes u quajt herezi e madhe, censurë, antidemokratik, kriminal, sepse shpifësat… na duhen! Neni u pezullua, kurse konellapsit u çliruan dhe vazhdojnë të çlirojnë gjithë energjitë e tyre të shpifjes, në derën e kujtdo qytetari, pavarësisht se ai nuk ka asnjë lidhje me ta. Kur themi konellapsit e kemi fjalën për qen dhe kone me dy këmbë, të pasuruar pa e ditur askush se nga dhe të mbrojtur sot, me imunitetin e kazanit mediatik.
Qendra e thashethemeve, hani “Përroi i Kurvave”, nuk flet për asgjë, nuk informon për asgjë, por thjesht i bënë xhiron thashethemit nga një gojë në tjetrën, e të gjitha… gojë të përdala. Por për çudi, këto kurva janë të mirë paguara, që t’i bëjnë të gjitha, por edhe të të shkrijnë gazit me barsaletat e tyre për ndershmërinë, moralin dhe virgjërinë, e kështu kurva që paguhet mirë, hap bordello për shoqet dhe shumë shpejt ka ndërruar emër, tashmë… është “zonja kurvë”.
Forcimi i “zonjës kurvë” është i rrezikshëm, sepse do na mbushet vendi me sojin e tyre, përderisa morali nuk ka asnjë vlerë, bile është i trembur dhe i pafuqishëm përpara saj.
Shteti dhe njerëzit që përfaqësojnë shtetin dhe ligjin, duhet ta ndalojnë vlimin e këtij kazani, që për hirë të së vërtetës, vlon dhe gjeneron llum nga drutë, që i vendosin poshtë shtetarët me pak njollë, ose që i tremben njollës së sajuar nga intrigantë, gjobaxhinjë, shpifësa, mashtrues, sepse as vetë nuk janë të sigurtë për matsin e shkallës së fajësisë… kanë bërë apo nuk kanë bërë “herezi”?!
Paguaj që mos ta shpërndaj shpifjen, sepse nëse kalon dy tre gojë nga ato të tyre… bëhet e vërtetë! Kjo është motoja që kazanit i shtohen drutë dhe kurrë nuk ndalon së valuari. Kazanxhinjtë e mjerë, nuk e kuptojnë, se janë kthyer në viktima të rrengut të vet, për sa koha gënjeshtra e thënë prej tyre, mbrohet nga një tjetër lajm i rremë.
Ndaj, duhet edhe njëherë një ligj për mediat, ku shpifësit duhet të paguajnë për shpifjen dhe i akuzuari drejtësisht ose padrejtësisht, të jap llogari para drejtësisë, kur përdor lumin e parave, për t’i ulur flakën kazanit. Duhen dy “dryna”, një për gojën e lehësave dhe një për burimin e pagatorëve, ndryshe kazani do të kthehet në një llavë vullkanike, që do na përvëloi të gjithëve, edhe ne që mundohemi t’i rrimë sa më larg!/Ekskluzive.al