Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet më të fundit politike në vend dhe jo vetëm. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-numri një i Ministrisë së Mbrojtjes fillimisht e ka ndalur theksin tek teza e hedhur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh, ide kjo e kundërshtuar fort nga ish-kryeministri Sali Berisha. Brokaj u shpreh i bindur se i vetmi person që nuk duhet të flasë për Kosovën është pikërisht Berisha. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje faktin se Berisha jovetëm që është tradhtar i kombit shqiptar, por edhe një shërbëtor besnik i serbëve. Duke u ndalur tek vendimi i NATO për të ndërtuar një bazë të saj në Kuçovë, Brokaj deklaroi se ky investim do forcojë rolin e Shqipërisë në rajon dhe se vendi jonë do të jetë më i sigurtë nga ndërtimi i kësaj vepre të aleancës. Sa i takon akuzave të prokurorisë në adresë të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, të cilët për pasojë sollën edhe vënien në sekuestro të pasurive të tij, Brokaj jovetëm që përshëndeti vendimin e gjykatës, por deklaroi se ish-numri një i akuzës duhet të arrestohet.
-Z. Brokaj, NATO ka vendosur të ngrejë një bazë të saj në Kuçovë. Ju si ish-ministri i Mbrojtjes si e shihni këtë investim dhe çfarë përfitimesh do të ketë Shqipëria?
Investimi i NATO-s në Kuçovë është një investim ushtarak i madh dhe tejet strategjik. Vjen në përputhje edhe që ne jemi anëtar i kësaj aleance dhe jo vetëm që është normale, por edhe korrekte. Pra vendet anëtare domosdoshmërisht dhe natyrisht kanë detyrimet e tyre, kështu që investimi në Shqipëri forcon imazhin e vendit tonë. Nga ana tjetër, që të hyj në temë të pyetjes për mendimin tim, ne si vend kemi përfitime. Mirëpo, në optikën time unë nuk shikoj përfitime ato miliona dollarë që thonë, por shikoj përftimin që në kushtet kur Shqipëria me kapacitetet e mbrojtjes është shumë dobët, ky investim përbën elementë jetikë për sigurinë e vendit tonë. Kështu që në këtë pikëpamje investimi i NATO në Kuçovë është një investim i madh dhe shumë, madje shumë i rëndësishëm në aspektin strategjik. Madje, mendoj se tanimë që është vendosur që NATO do të ketë një bazë në Shqipëri, vendi jonë do të ketë një influencë të fortë duke u bërë kësisoj lider në rajon.
-Investimi i NATO në Kuçovë ka lidhje me ndikimin rus në Ballkan, apo NATO kërkon të faktorizojë rolin shqiptar në rajon?
Për mendimin tim NATO nuk është se ka interes vetëm tek Shqipëria, ku përmes kësaj baze kërkon të faktorizojë rolin e Shqipërisë në Ballkan. Por mendoj se ky investim është i lidhur fort me planet gjeo-strategjike që ka NATO. Dhe natyrisht në këtë aspekt ne përfitojmë nga ky fakt. Pra NATO shikon në tërësi dhe shumë më gjerë nga çfarë mendojmë ne. NATO nuk është se ka bërë një bazë për shqiptarët por për gjithë aleancën në rajonin ku ndodhet vendi jonë. Nga ana tjetër, ne si vend kemi interes pasi duke mos patur shumë kapacitete mbrojtjeje përmes kësaj baze do të ndihemi më të fortë, më të mbrojtur dhe më komod përballë çdo lloj kërcënimi. Ndërkohë që sa i takon ndikimit rus dhe ideve të hedhura se ky investim ka lidhje me këtë shkaka, është në të drejtën e cilitdo që të thotë se sa na faktorizon apo jo. Kështu që NATO shikon në planin strategjik që të ketë një bazë në hapësirën e Ballkanit dhe vendosi që të zgjedhë Shqipërinë për disa arsye. Mos harrojmë që Shqipëria është një vend i sigurtë. Dhe duke qënë se është një popull 100% pro NATO dhe pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, domethënë më shumë se gjithë të tjerët pro NATO dhe Amerikës, janë këto elementët që e përcaktojnë qartë se përse NATO zgjodhi Shqipërinë për të investuar. Po ashtu, një tjetër arsye se përse NATO zgjodhi Shqipërinë për të investuar është edhe pozicioni jonë strategjik, siç është siguria e bazës. Megjithë, Shqipëria nuk diskutohet që e ka përfitimin e vetë nga ky investim, siç është ai në aspektin e sigurisë.
-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur idenë e korrigjimit të kufijve. Keni ndonjë koment për këtë dhe a duket një lëvizje e zgjuar?
Mendoj se teza e artikuluar nga presidenti Thaçi është vetëm gjysma e problemit dhe se nuk është thënë i tërë problemi. Kështu që të nxitohesh dhe të thuash mendimet, është e parakohshme. Thaçi ka thënë që do të bashkohet krahina e Preshevës. Por nuk ka thënë më tej se çfarë do të bëhet. Mendoj se nuk ka korrigjim kufijsh në favor të një vendi, pa dhënë pjesën tënde ti, të atij vendit tjetër. Pra, Thaçi ka thënë vetëm njërën anë. Natyrisht që dëshira e popullit të Preshevës, ma merr mendja edhe të gjithë shqiptarëve, që të bashkohen gjithë ato copa që janë lënë andej-këtej nga konferenca e Londrës është një dëshirë e madhe kuptohet. Por ama se çfarë do të bëhet më tej, ka të bëjë me faktin se pjesën tjetër nuk e ka thënë Thaçi. Kështu që kur Presidenti kosovar do të thotë pjesën tjetër, atëherë unë apo ne do të kemi mendimin e plotë dhe do të japin një opinion definitiv.
-Ndër të parët që ka dalë kundër Thaçit është Sali Berisha. Si i shihni reagimet e tij?
Ish-kryeministrin Sali Berisha nuk e llogaris, pasi ai njihet si tradhtari më i madh i shqiptarëve. Berisha ka provuar që ka dhënë territore, madje këto territore që ia ka kafshuar Shqipërisë i ka firmosur, siç është hapësira detare, etj. Kështu që t’i dalësh kundër Thaçit, në një kohë kur ky i fundit nuk ka dhënë asgjë akoma, më duket si hipokrizi dhe arrogancë histerike nga ana e Saliut. Jo vetëm unë por gjithë Shqipëria, madje gjithë diaspora dhe bota e dinë se lojtari i kujt është Sali Berisha. Berisha është një beniamin dhe shërbëtor besnik serb. Berisha e ka provuar dhe dokumentuar tradhtinë në çdo aspekt, duke i bërë shumë të këqija vendit të tij. Pra, për Thaçin kritikët e kanë hipotezë kritikat për të. Ndërsa Berisha natyrisht duhet të merrte dënimin sipas ligjeve për të këqijat që ka bërë, që natyrisht i dinë gjithë shqiptarët.