Një pikë mjaft interesante e raportit vjetor të DPPPP për vitin 2017 është ajo që zbulon përfshirjen e politikanëve në transaksione. Në raport shkruhet se gjatë vitit që lamë pas, plot 15 persona të ekspozuar politikisht (PEP) janë të përfshirë në transaksione të dyshimta.
Në rast se bëjmë një krahasim të vogël me vitin 2016, kuptohet që përgjatë vitit të shkuar numri i njerëzve që kanë lidhje me politikën është rritur në 2017. Më konkretisht, në 2016 kanë qenë vetëm 4 persona të ekspozuar politikisht të përfshirë në transaksione të dyshimta, ndërsa në 2017 ky numër ka shkuar në 15.
Ndërkohë, disa nga metodat e tjera që përdoren nga pushtetarët për pastrimin e parave janë edhe kryerja e një aktiviteti ekonomik fiktiv, këmbimet valutore në vlera të larta (17 raste gjatë 2017), përdorimi i dyshimtë i kredive bankare (4 raste në 2017) apo edhe mashtrimi kompjuterik ku gjatë 2017 janë konstatuar 16 raste të tilla.
Ndër të tjera, në raport thuhet se për disa kategori të subjekteve raportuese vërehet zgjerim i fokusit të analizave që ata kryejnë, duke përfshirë jo vetëm transferta të shpeshta dhe në vlera të larta, por edhe raste të dyshimta për transferta të kryera me vende të cilësuara me risk për trafikim të lëndëve narkotik./Kliti TOPALLI