Një ditë përpara zgjedhjeve për kreun e FSHF-së së katër viteve të ardhshme, me presidentin aktual që pretendon një mandat të pestë radhazi, është momenti për të bërë një bilanc mbi atë që ka ndodhur në futbollin shqiptar në dy dekadat e fundit. Është e pamohueshme që ashtu si edhe sferat e tjera të shoqërisë shqiptare, edhe futbolli ynë ka njohur ndryshime pozitive, të kulmuara nga pjesëmarrja historike në Euro 2016.
Megjithatë, si askund tjetër në botë, futbolli është shndërruar në një vatër të tmerrshme korrupsioni, që vërtetohet nga dhjetëra ndeshje të shitura apo fiksuara çdo vit nga klubet shqiptare, në Superligë apo në kompeticionet europiane. “Federbet” është një Agjensi e pajtuar nga FIFA dhe UEFA për të analizuar fenomemin e trukimit të ndeshjeve në të gjithë botën. Ajo që del nga raporti i fundit i përpiluar nga kjo agjensi është fakti që Shqipëria vendoset e para në listën botërore të vendeve që trukojnë ndeshjet.
Në një pjesë të raportit, “Federbet” shkruan se “çdo javë, kompanitë e mëdha botërore të basteve heqin në bllok ndeshje të kampionatit shqiptar për shkak të luhatjeve të frikshme të koefiçentëve, çka provon se këto ndeshje janë shitur”. Ajo që mbetet e paqartë se përse FSHF i toleron këto fenomene, si dhe ku shkojnë paratë që gjeneron ky aktivitet i paligjshëm në vendin tonë? Ndonëse raporti i “Federbet” nuk përmend emra konkretë, duket se përgjigja qëndron tek kreu i Federatës, i cili është vetë organizatori dhe përfituesi kryesor nga shitja në masë i ndeshjeve të kompeticioneve që ia vetë organizon.(TemA TV)