Ish ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka reaguar pas verifikimit që po i bëhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në një prononcim për News24, ish ministri tha se ai është i gatshëm për verifikim dhe nuk e trembin hetimet, por sipas tij janë të papranueshme goditjet politike.
E duke folur për goditje politike, Haxhinasto tregohet i gatshëm t’ju përgjigjet të gjithë atyre që ndërmarrin veprime të tilla. Ai foli për përgjigje të rrepta politike.
“Nuk më shqetësojnë as verifikimet dhe as hetimet. Unë kam bërë një drejtim politik dhe veprimtaria është e bazuar në dokumente. Koha e gjyqeve ka mbaruar dhe nëse më godasin politikisht, unë do i përgjigjem politikisht shumë rreptë”- tha Haxhiansto.
Ish-ministri i LSI-së tek Transportet, Edmond Haxhinasto, po verifikohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Mësohet se verifikimet për Haxhinaston kanë nisur për shkak se nuk ka marrë masa pas disa auditeve që janë bërë për këtë rrugë.
Për këtë dosje Gjykata e Krimeve të Rënda ka nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka të kallëzuar penalisht nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogariti në 53 milionë dollarë.
(BalkanWeb)