Në nëntor të vitit 2013, kompania mashtruese “Belle Air”, sot nën emrin “Fly Ernest”, pasi u shiti 500 pasagjerëve biletat e fluturimit (nga mbi 50 mijë bileta në total), njoftoi pezullimin e gjithë aktivitetit të saj, ndërsa klientët e zhvatur me një skemë të pastër mashtrimi, u bllokuan nëpër aeroporte.
Është e papranueshme që një kompani fluturimi, e cila i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej disa miliona euro, të vazhdojë të operojë në këtë treg, duke marrë një licencë nga shteti italian, tashmë jo si kompania mashtruese “Belle Air” i Bashës në pushtet, por si “Fly Ernest” i Bashës, me “seli” në Itali.
Nga mënyra e operimit dhe problematikat, si anullimet e shumta dhe sorollatja e pasagjerëve për orë të tëra nëpër aeroporte, është e njëjta metodologji e përdorur nga ish-Belle Air, disa vite më parë, por nuk do mend pasi kompania e fluturimeve edhe në organikë ka të njëjtët drejtues të skemës së famshme të 2013.
Ditën e djeshme, kjo kompani anulloi 3 fluturime dhe 2 vonesa, ndërsa mësohet se muajt e fundit ka anulluar dhe vonuar mbi 60 fluturime dhe nëse do ishin ndjekur procedurat e kompensimit nga ana e klientëve të saj, dëmi që kjo kompani do detyrohej të paguante është rreth 3 milion euro./EKSKLUZIVE.AL
Udhëtarë, këto janë disa arsye pse duhet të tregoni kujdes nga kompania mashtruese “Fly Ernest” apo ish-“Belle Air”!
Si u zbatua skema e “falimentimit”!
Falimenti i kompanisë Belle Air ishte jotransparent, jo vetëm që u pretendua bllokimi i rremë i llogarive, por kompania e kërkoi falimentimin në gjykatë dy ditë para se vodhi qytetarët duke i shitur biletat e saj! Falimentimi ishte i dyshimtë, pasi ajo zotëronte gjysmën e tregut! Anulimi i fluturimeve nga kompania “Belle Air” u shkaktoi shumë probleme pasagjerëve që kishin rezervuar një biletë udhëtimi me avionët e linjave të kësaj kompanie, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali dhe Greqi.
Kompania ka depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim. Kërkesa është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, nga vetë përfaqësuesit e kompanisë. Por nëse kërkesa për falimentim është bërë të premten, njoftimi për pezullimin e punës, kompania e fluturimeve e ka bërë vetëm dje në datën 24 nëntor 2013, dy ditë më pas, duke prerë bileta për udhëtarët.
Problemi i parë ishin pasagjerët që u endën në aeroporte. Ata kishin prerë biletën por avionët e kompanisë që nuk u dukën gjëkundi. Një tjetër kompani i kishte kontaktuar këta pasagjerë dhe u kishte thënë, se duhej të shtonin dhe 200 euro të tjera për t’i ndihmuar me transportin. Kjo kompani u sugjerua nga “Belle Air” tek udhëtarët e saj të mbetur në rrugë, pasi i vodhi me një biletë i ofroi një të dytë. Kjo ishte një gafë, pasi kompania s’mund të kompensojë udhëtarët e saj, duke u sugjeruar një kompani tjetër me pagesë (që në fakt mund të jetë dhe vetë “Belle Air”, por me emër tjetër).
Një tjetër fakt është se kompania ka kryer gjithnjë veprimtarinë e saj në kushte thuajse monopol dhe në 8 vitet e fundit ka pas të gjithë përkrahjen e autoriteteve më të larta shtetërore, madje kompania ka sjellë dhe studentë shqiptarë jashtë vendit me çmime konkurruese kur ishin zgjedhjet, nisma këto në funksion të mbështetjes së Partisë Demokratike. Por duket se me një dokumentacion të dyshimtë dhe provizor, me borxhe disa miliona euro dhe me të gjitha avantazhet që të ofron konjuktura politike, kjo kompani asnjëherë nuk diti të triumfonte në treg. Kishte gjithnjë mangësi gjithnjë probleme, dukej qartë që ata që e drejtonin ishin biznesmenë të emëruar dhe jo biznesmenë që triumfonin falë aftësive në treg.
Ndoshta nuk është krejt pa lidhje fakti që dy menaxherët kryesorë të kësaj kompanie në Itali (i cili është dhe tregu më i madh i saj) janë shtetasit Arben dhe Ornela Basha. Janë dy kushërinjtë e parë të Lulzim Bashës. Ky i fundit është përfolur ngaherë për lidhjet me këtë kompani. Pra kemi të bëjmë me një kompani që iu dhurua tregu, iu falën të gjitha gabimet dhe mangësitë e përsëritura, iu toleruan dokumentet thuajse të falsifikuara, një kompani së cilës qeveria i krijoi luksin për t’i falimentuar dhe “kompanitë rivale”, e përsëri kjo kompani nuk diti dot të bënte sukses. Falimentoi. Por është një “falimentim në dukje”, pasi një hetim është i domosdoshëm, pasi realisht është një skemë 8 vjeçare mashtrimi financiar, është një krim. Ndaj dhe duhet hetuar, pa humbur kohë.
Falimenti i dyshimtë i kompanisë “Belle Air”/ 25 Nëntor 2013
Zyrat qëndrore të Belle Air tek Pallati i Kulturës kanë filluar të boshatisen që gjatë ditës së djeshme. “Punëtorët janë lajmëruar që të mos paraqiten më në punë, shtuar këtu faktin që kanë dhe katër muaj pa u paguar për punën e tyre. Kompania shpall në këtë mënyrë falimentin e saj, duke mos dhënë përgjigje për asnjë nga abuzimet e shumta që ka kryer këto vite dhe detyrimet që i ka shtetit shqiptar, aeroportit “Nënë Tereza” apo kompanisë Air BP, nga e cila furnizohej me naftë. “Që prej dy javësh kompania operonte me agjencitë e udhëtimit apo dhe me kompaninë e naftës me të cilën furnizohej me lekë në dorë”, ndërkohë që ky është një veprim i jashtëligjshëm, për shkak se çdo veprim i kompanisë duhej të kryhej me bankë. Ndërkohë që prenontimet e fluturimeve nga qytetarët shqiptarë pranë kësaj kompanie shtrihen deri në 23 mars të vitit 2014, ku piku i tyre ishin festat e nëntorit dhe ato të ndërrimit të viteve. Bileta të cilat nuk priten të disbursohen nga një kompani që shpall falimentin. Belle Air gjithashtu i detyrohet shtetit shqiptar një shumë prej 6.3 milionë euro taksa të papaguara asnjëherë në këto dy tre vjet. Po kështu debiti i kësaj kompanie ndaj territorit shqiptar është dhe për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mësohet se i detyrohet në një shumë prej 5 milionë eurosh
“Belle Air” asnjë avion të regjistruar në Shqipëri
Veprimtaria dhe operimi i kësaj kompanie në tregun shqiptar, edhe pse në një situatë monopol, është jashtë çdo lloj kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Autoriteti i Aviacionit Civil nuk ka regjistruar asnjë avion për llogari të kompanisë së fluturimeve “Belle Air”. Sipas Rregullores Evropiane, është kusht që një kompani fluturimesh duhet të ketë të paktën një avion të regjistruar në vendin ku operon. Ky kusht është shkelur në mënyrë flagrante. Ndërkaq, mësohet se kompania “Belle Air” ka marrë 7 avionë me qira tek operatorët francezë apo çekë. Madje njëri nga avionët e djeshëm pasi ka kryer fluturimin e fundit është ndalur në destinacionin e fundit në Francë. Po kështu një avion charter mësohet se është ulur në Zagreb, në tentativë për tu blerë në mënyrë të jashtëligjshme nga kompania në ditët në vijim.
Tregu monopol i Belle Air
Në tregun shqiptar të fluturimeve operojnë 10 kompani. Kompania e fluturimeve “Belle Air” kontrollon 50 % të tregut të fluturimeve, pra ishte në pozita monopoli. Situata monopol u krijua në vitin 2011, me qëllim për të vjedhur shqiptarët, nëpërmjet manovrave me çmimin e biletave dhe veprimeve të tjera arbitrare.
Mijëra bileta të shitura deri me 23 mars të vitit 2014
6.3 milion euro taksa të papaguara shtetit shqiptar
5 milion euro detyrime ndaj Aeroportit “Nënë Tereza”