Duhej të ishte një festë për futbollin, pasi në Korçë po luhej ndeshja e parë e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, mes Skënderbeut dhe Partizanit, por tifozëritë e të dy palëve, nuk e konsideruan të tillë.
Disa të plagosur dhe rreth 15 minuta ndërprerje, ishte bilanci i një panorame të turpshme, që do të kërkojë një analizë të thellë dhe marrjen e masave për të eliminuar prezencën e vandalëve në shkallët e stadiumit.
Ndryshe nga pankina, në fushën e lojës gjithçka ishte Fair Play, me dy skuadrat që zhvilluan një luftë të vërtetë sportive, ndërsa fati në fund u buzëqeshi kampionëve në fuqi, Skënderbeut, që fituan me rezultatin minimal 1-0.
Ishte një aksion i shpejtë i Dejvi Bregut, që detyroi portierin e Partizanit Alban Hoxha, të ndërhyjë keq dhe të shkaktojë 11-metërsh në minutën e 90 të takimit.
Penalltinë e mori përsipër mesfushori me eksperiencë Gjergji Muzaka, i cili ekzekutoi saktë dhe shënoi golin e parë sezonal të Skënderbeut, që njëkohësisht ka vlerën e tre pikëve të para.
Korçarët treguan sot ndaj Partizanit, se pavarësisht çfarë ka ndodhur gjatë verës, mbeten skuadra për t’u mundur dhe do të kërkojnë sërish të mbrojnë titullin kampion.