Jari nuk po gjente sot diçka të rëndësishme për të postuar në Twitter.
Por e shpëtoi nga situata një foto e postuar nga Edi Rama.
Fotoja tregonte Edi Ramën që qethej tek një berber adoleshent.
Kjo e frymëzoi:
“Kur shikoni kryeministrin që e qeth një fëmijë, mendoni se si mund të qethë atdheun kryeministri.”
U kënaq shumë nga teksti.
I numëroi gërmat dhe ishte në rregull.
Nisi menjëherë sqarimin për kuptimin e postimit të tij:
“Të dashur lexues. Jari ju sqaron!
Ju e patë të gjithë foton e Edi Ramës, duke u qethur tek një kalama.
Mos mendoni se është rastësi.
Ai e ka bërë për të na kërcënuar të gjithëve.
Duke u qethur tek një fëmijë dhe duke mbyllur sytë kur qethej, ai do të na tregojë ne, se ai vet është në dorën e një kalamani që nuk dihet çfarë mund t’i bëjë.
Nuk duhet nëse del i gjallë apo i vdekur, i bukur apo i shëmtuar nga ato gërshëre.
Këtë e ka mesazh për ne.
Kjo do të thotë që dhe atdheu është në duart e dikujt që mund të sillet njësoj si ai fëmija adoleshent.
Strategjia e tij për të ngjallur terror është e qartë.
Duke treguar se ai vet e ka vënë kokën në tepsi të berberit, do të tregojë se dhe ne e kemi kokën në tepsinë e tij.
Ndaj unë rekomandoj disa aksione kundër tij.
E para, asnjë nga udhëheqësit e opozitës të mos qethet më, pa rrëzuar Edi Ramën.
E dyta, unë jam gati të lë prapë mustaqe e t’i heq ato vetëm kur të rrëzohet Edi Rama.
Dhe e fundit, që ka më shumë rëndësi, është që në shtator, kur ai do kalojë mbi trupat tanë për të hyrë në qeveri, ne duhet të jemi të gjithë të paqethur për ta trembur atë dhe për t’i treguar se ne nuk ja besojmë kollaj kokën tonë një njeriu të papjekur.
Në fund, propozoj që Strazua të mos jetë aty kur Rama të kalojë mbi trupin e Lul Bashës, se ai është qeros dhe duket sikur ka thyer disiplinën e grupit.”