Clara Musachio ka lindur në Romë, por prejardhja e saj është nga Campo Marino një fshat i vogël arbëresh në Itali. Familja e saj është pjesë e komunitetit që u vendos atje menjëherë pas periudhës së Skënderbeut rreth 500 vjet më parë në fillimet e pushtimit osman.
“Unë jam Clara Musachio. Origjina ime është nga një fshat i vogël arbëresh në Campo Marino ku pothuajse të gjithë banorët vendas ende flasin një gjuhë të vjetër të pakuptueshme për italianët. Kultura arbëreshe ka qenë pjesë e jetës sonë pasi im atë flet arbërisht. Gjithnjë kam dashur të vij në Shqipëri për të parë e mësuar më shumë për Muzakët e vjetër. Motra ime erdhi 2 vjet më parë për ti dhuruar një ikonë të vjetër të Shën Marisë një kishe në Shkodër dhe tani e gjithë familja dëshiron të vizitojë Shqipërinë.”, thotw Clara.
Clara e di se emri i familjes së saj lidhet me familjen fisnike të Muzamëve të mesjetës, bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit. Ajo thotë se origjina u mbart me ritet këngët, veshjet dhe sidomos ninullat. Ajo kujton një ninullë që mbërriti brez pas brezi.
“Këtë ninullë ma këndonte babai për të më vënë në gjumë. Atij ja kish kënduar e ëma. Unë ja këndoj djalit megjithëse kuptimin nuk ja di tingëllon shumë e bukur”, thotë ajo.
Mes vizitorëve të turizmit të veçantë arbëreshët dhe shqiptarët që kanë qenë në emigracion prej dekadash kanë zënë një vend të rëndesishëm. Këtë vit në Gjirokastër vizitorë shqiptarë të lindur në Amerikë, Argjentinë, Afrikën e Jugut, shqiptarë të Egjyptit, Turqisë, Ukrainës po kthehen në tendencën e turizmit të veçantë. Një pjesë e madhe vijnë për të njohur atdheun e rrëfyer prej prindërve dhe të tjerë atë që kanë humbur prej emigracionit dekada më parë./Top Channel