Sot Jari e mori frymëzimin për të shkruar nga takimi i Doktorit me Bahtirin e Mitrovicës.
Bahtiri është kryetari i Komunës së Mitrovicës, që rrezikon të ndahet nëse ndodh korrigjimi i kufijve.
Jari shkruan:
“Mitrovica ka zot në Tiranë. Është fat që kemi Doktorin dhe po shpëton trojet shqiptare, nga politikanë që mbijnë si kërpudha pas shiut”
Në sqarimin e tij më pas, Jari shkruan:
“Të ndashur lexues. Jari ju sqaron.
Doktori ka bërë sot një lëvizje të fortë.
Sa herë që politika kosovare tenton ta injorojë atë, ai ua merr atyre kalanë nga brenda.
Meqë Thaçi e injoroi dhe më pas e sulmoi për idenë e korrigjimit të kufijve, dhe Pacolli shkoi në Shëngjin dhe nuk shkoi ta takonte në Lalëz, Doktori thirri në Lalëz kryetarin e Komunës së Mitrovicës, që është i Pacollit.
Bahtiri ishte me pushime në Lalëz dhe po hante drekë kur pa Doktorin që po bënte shëtitje.
I doli para dhe e pyeti nëse ai ishte Doktori.
Kështu u prezantuan.
Pastaj u ulën të dy për një kafe.
Doktori i tha se rruga e vetme është që Bahtiri t’i marrë partinë Pacollit dhe të gjejë dhe ndonjë shok t’i marrë partinë Thaçit, ndryshe Mitrovica do ndahet.
Bahtiri i tregoi i shqetësuar se ka një fabrikë të kërpudhave dhe problemi është se kërpudhat i mbjell në pjesën që mund ta marrin serbët, ndërsa fabrikën e ka në pjesën që mund t’u ngelet shqiptarëve.
-Ky do të jetë fundi i Mitrovicës, tha Bahtiri.
Doktori e këshilloi se kjo zgjidhet vetëm nëse politikanë vizionarë si ai, ngrihen dhe zbojnë klasën e vjetër politike që po shet Kosovën, dhe ta marrin ata në dorë të ardhmen e Kosovës.
-Dhe këtu në Shqipëri kështu kemi vepruar, i tha Doktori.
Përshembull, PD-në e kanë marrë në dorë të rinjtë, Luli, Grida, Salianji etj, dhe kjo u ka dhënë shpresë njerëzve.
Ai e siguroi Bahtirin se PD dhe vet Doktori do bënte ç’ishte e mundur që çështja e kërpudhave që mund të ngelen jashtë kufijve kur problem të zgjidhet, duke i mbrojtur.
Takimi kaloi në një atmosferë shumë patriotike dhe Bahtiri premtoi se sa të shkonte do t’i dërgonte atij disa kuti me kërpudha, për të provuar pasuritë reale të Kosovës.
Ai u zotua po ashtu se nuk do t’ia falte kurrë tradhtinë dyshes Thaçi- Pacolli dhe se në zgjedhjet e ardhshme do vinte kandiadaturën për kryetar të Kosovës.
Vetëm nëse kryetari është nga Mitrovica, Kosova mund të shpëtojë, përfundoi ai.”