Monika mesazh të vetëve: Haxhinasto dhe Xhika na ikën, të bashkohemi se na mori lumi. Nis dezertimi i njerëzve të LSI në të gjitha nivelet, groposin paratë e vjedhura
Ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto do të jetë peshku i parë i madh që do të bjerë në rrjetën e reformës në drejtësi. Edhe pse ka qenë thjeshtë një instrument i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, për të vjedhur paratë e rrugëve, Edmond Haxhinasto pritet të bëhet shok burgu me ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhikën, i cili zgërdhihet prapa hekurave dhe ankohet për supën e burgut. Haxhinasto po hetohet si mburoja politike dhe ligjore e abuzimeve të Dash Xhikës me rrugët. Haxhinasto ka qenë shefi i Xhikës, kur ky i fundit ka shpërdoruar 5 miliardë lekë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po shikon mundësinë për t’ju drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për t’i hequr imunitetin Haxhinastos, për arrestimin e tij dhe kontrollin e banesës. Prokurorët kanë siguruar prova të mjaftueshme që faktojnë se Haxhinasto nuk ka vepruar për të ndaluar vjedhjen me rrugët, pasi paratë përfundonin në xhepat e pronarëve të LSI, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Lëvizja Socialiste për Integrim po kalon momentet më të vështira që nga krijimi i saj. Arrestimi i ish-drejtorit Dashamir Xhika dhe hetimi i Haxhinasto është një mesazh i qartë për të gjithë hajdutët tjerë, të cilët mund të kenë fatin e Xhikës. Që pas prangosjes së Xhikës, ish-drejtorët e LSI me dosje në prokurori dhe ata që janë implikuar në vjedhje, kanë nisur të arratisen nga Shqipëria, kryesisht në rrugë tokësore. Edhe pse disa prej tyre ishin nën vëzhgim nga policia, ata i kanë humbur gjurmët. Disa nga ish-drejtorët e LSI nuk figurojnë as në sistemin TIMS, çka shton dyshimet se janë larguar në mënyra të tjera.
Në pamundësi për t’i marrë paratë me vete jashtë shtetit, disa prej tyre duket se i kanë groposur paratë brenda vendit. Organet e specializuara kanë konstatuar disa raste të groposjes së parave, me anë të vëzhgimit, përgjimeve dhe metodave të tjera speciale.
Në të njëjtën kohë ka nisur shthurja e radhëve të LSI në pushtetin vendor. Pas Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, Lëvizjes Socialiste për Integrim i kanë ikur edhe tre këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Fierit. Në administratë ka lëvizje masive të anëtarëve të LSI drejt PS, kryesisht për të ruajtur vendet e punës.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duket se kanë kuptuar se këtë goditje të rëndë nuk e kanë vetëm nga Edi Rama dhe Arta Marku, por në lojë është një forcë përtej politikës shqiptare. Në lojë janë amerikanët dhe Brukseli, të cilët duan të shpërbëjnë një çetë të rrezikshme korrupsioni në Shqipëri.
Megjithatë, pas daljes së lajmit se Haxhinasto ishte marrë nën hetim, Monika Kryemadhi ka mbledhur edhe një herë rrethin e ngushtë, për t’i inkurajuar dhe për t’u dhënë zemër. Monika i ka lajmëruar të vetët se pas Xhikës në burg mund të përfundojë vetëm Haxhinasto, por sipas saj ata nuk do të dënohen.
Nisur nga largimi i këshilltarëve dhe arratisja e disa drejtorëve nga frika e prangave, Monika u ka kërkuar njerëzve të saj që të qëndrojnë të bashkuar, se për ndryshe të gjithë do t’i marrë lumi. Monika u ka telefonuar edhe krerëve të LSI në rrethe, duke u dhënë disa direktiva dhe udhëzime emergjente./Pamfleti.com