Ndërkohë që të gjithë presin të shohin sesi do të jetë Reali pa Cristiano Ronaldon, te Barça duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Katalanasit janë gjithnjë e më shumë të varur prej Messit, e këtë e treguan edhe mbrëmjen e së shtunës, në sfidën e parë për La Ligën kundër Alavesit.
Valverde ka një morì zgjedhjesh, me Coutinho, Arthur, Malcom dhe Vidal, por si për çudi vendosi të aktivizonte Sergi Roberton në të njëjtën linjë me Busquets dhe Rakitiç, duke lënë jashtë 4 emrat e mësipërm, prej të cilëve 3 të sapoblerë. Ndërsa sulmi iu besua Dembelesë nga e majta dhe Messit nga e djathta, një pozicion që rrallëherë e ka pasur gjatë sezonit të shkuar.
Alaves nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshëm, por gjithsesi u mbajt mirë përgjatë pjesës së parë. Në pjesën e dytë ishte spektakli i të përhershmit, i cili si gjithnjë mbetet vendimtar. Fillimisht shënoi duke kaluar topin nën këmbët e lojtarëve që formuan “murin” mbrojtës, të cilët kërcyen për t’i bërë ballë parabolave “vdekjeprurëse” të tij nga goditjet e dënimit, por këtë herë e pësuan edhe nga poshtë.
Më pas erdhi radha të trondiste shtyllën, përpara se të shënonte Coutinho golin e dytë. Në kohën shtesë do të ishte një asist i Suarezit për “pleshtin”, ai që do të rezultonte në golin përmbyllës të ndeshjes.