PD në Tiranë, dhe më keq në rrethe, gjendet sot si një seli-bunker e vetizoluar nga realiteti, gjendet në krizë emrash, kandidatësh, duke mbetur tek gjetjet e vjetra.
Artur Ajazi
E ndërsa vitit 2018 po i afrohet fundi, duket se forca politike më e paqartë dhe më e papergatitur për zgjedhjet lokale të vitit 2019, është pikërisht e vetmja parti opozitariste, PD e Lulzim Bashës. Kjo për faktin sepse edhe hamendësia se “dy partitë opozitare PD dhe LSI do të garojnë në koalicion për zgjedhjet vendore të 2019” duket se ka rënë, dhe priten zhvillime të reja.
Ky fakt është bërë i ditur me deklarata dhe veprime konkrete jo vetëm nga kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, por distancimin e kanë provokuar edhe eksponentë të PD, në deklarata dhe prononcime të ndryshme publike. Ndonëse zgjedhjet vendore të 2019 duket se nuk janë larg, duket se jehona e humbjes së thellë në zgjedhjet e përgjithshme të PD nuk është shuar akoma si në qendër, ashtu edhe në bazën e asaj partie. Kjo forcë politike deri tani nuk ka gjithsesi asnjë projekt, apo ide të qarta politike, për ti prezantuar para elektoratit të saj lidhur me përballjen me PS në zgjedhjet lokale të 2019.
Nga ç’ka ka ngjarë, dhe nga ç’ka po ngjet deri sot, duket se edhe zgjedhjet lokale të vitit 2019 për PD do të jenë një mision i pamundur, që paralajmëron humbjen e rradhës. Fillimisht u mendua se “koalicioni mes PD- LSI për zgjedhjet vendore do të kishte një alternativë reale që do ti jepte një goditje të fortë elektorale PS në zgjedhjet vendore”, por faktet në terrenin politik flasin ndryshe. Pas humbjes së thellë elektorale të 2017, “krushqia” mes PD dhe LSI u mendua si një “realiteti i ri” që mund të krijonte koalicionin mes tyre edhe në zgjedhjet vendore të 2019.
Edhe “frontit të bashkuar opozitar” i erdhi fundi, duke shuar çdo shpresë tek militantët e dy partive. Por përtej asaj çfarë ka ndodhur mes këtyre dy partive, nuk është herët të shtrojmë pyetjen se, me cilët emra, me cilët kandidatë do të përfaqësohet PD në zgjedhjet lokale të 2019, cilët persona ka piketuar lidershipi i asaj partie, në qoftëse po, mbi çfarë kriteresh, në qoftëse jo përse nuk është ngritur akoma grupi punës që do të merret me evidentimin e përzgjedhjen e tyre ? Padyshim përgjigja e parë vjen natyrshëm, mes krizës së besimit dhe shpresës që është zhytur kjo forcë politike, dhe zhgënjimit që baza e saj në Tiranë dhe rrethe, ka përjetuar në 28 vite.
PD nuk kërkon hapjen e partisë, nuk kërkon dhe nuk pranon afrimin e elitës, e të rinjve në parti, nuk pranon mendimin ndryshe, nuk pranon lirinë dhe demokracinë e fjalës dhe veprimit, ndaj dhe ka mbetur peng i mentalitetit stalinist, “o me kryetarin o je tradhëtar”. PD ka mbetur me një grusht njerëzish, që më tepër se kontributorët e saj historikë, janë thjesht kasta e pasanikëve dhe përfituesve, ish-pushtetarët e saj të përjetshëm. Fakti është se kjo kastë, ashtu siç bëri listat e humbjes së thellë të 2017, po pergatisin edhe listat e humbjes së rradhës të zgjedhjeve lokale të 2019.
PD në Tiranë, dhe më keq në rrethe, gjendet sot si një seli-bunker e vetizoluar nga realiteti, gjendet në krizë emrash, kandidatësh, duke mbetur tek gjetjet e vjetra. Fakti është se pothuajse në të gjitha rrethet, partia e vetme opozitariste, nuk ka shanse dhe nuk po përpiqet absolutisht të rinovojë stafin e saj. Emra të kandiduar, të lakuar, të përfolur dhe me aspak reputacion në bazën e asaj partie, po përfliten se do të jenë “kandidatët potencialë në zgjedhjet e 2019”.
Në qytetet kryesore të vendit, kriza e gjetjeve të kandidaturave sa vjen dhe thellohet, po të kemi parasysh situatën në të cilën gjenden sot degët e PD atje. Kjo situate e agravuar i është bërë me dije edhe kryetarit (Të Madhit) por duket se ai ka rënë dakort me vehten për rezultatin e pritshëm. Për një pjesë të konsiderueshme të asaj çfarë ka mbetur nga PD, zgjedhjet lokale pothuajse nuk janë fare në “hesap politik”, pasi e dinë se fatin e tyre e vendosin ervinët e kryetarit, ata që në fund do të shpallin listat e mbushura me emra humbësish tradicionalë, që në çdo fushatë thjesht janë tallur me votuesit e tyre.