Po hesht Berisha, që jep alarmin edhe kur digjet një mullar bari, thonë se janë djegur vetëm dosjet “VIP”, por Saliu, Luli e Likja nuk janë qetë, mbasi nga 1 kopje e ka SHBA
Sinoptikanët paralajmëruan se ditën e diel, do të binte shi në zonat bregdetare e do t’u prishte plazhin, shtetarëve dhe politikanëve, por “shejtanët” e poshtërsive, kishin parashikuar, se do binte zjarr në arkivën e Gjykatës së Lartë dhe do të prishte dosjet e vendim-krimeve, të firmosura prej “zaga(r)njorëve”.
Zjarri në Gjykatën e Lartë, “çuditërisht”, ra 1 javë para 24 gushtit, ditës, kur qejfli-pareli Zaganjorit, do t’i “ngarkojnë leckat” e do ta përzenë si “si qen të zgjebosur” nga drejtësia, ndërkohë që zjarri nuk ra, deri 24 orë para njoftimit të ONM, se Komisioni Apelimit i “Vetting”-ut, do ta shkarkonte e përzinte nga drejtësia, atë dhe lukuninë e tij.
Mirëpo, “përvojën” në fushën e mbulimit të krimeve, “zaga(r)njorët” kanë menduar ta zbatojnë dhe në mbulimin e krimeve të tyre, të bëra me dosjet e krimeve “VIP” të bandave kriminale, të shtetarëve e politikanëve të lartë, të cilët i kanë emëruar, dekretuar dhe paguar.
Frika prej ballafaqimit të afërt me drejtësinë, i ka futur në panik horrat e (pa)drejtësisë shqiptare, të cilët po ikin me pasuri e damka si të lidhur me krimin, si hajdutë e kurvarë, por nuk mund të ikin me hijet e zullumeve mbrapa, ndaj dhe të gjithë së bashku si “Bandë e Lartë e Gjyqësorit”, kanë zbatuar parimin: – “Që të fshehësh një krim, duhet të bësh një krim tjetër” (zjarri).
Duket, sikur zjarrin e ka ndezur “allahu”, por si është e mundur, që zjarri nuk ra në dhomat e moteleve dhe suitat luksoze ku hargalisen “zaga(r)njorët”, por ra në zyrën ku gjenden zullumet e tyre dhe dosjet e krimeve ekonomike-njerëzore, të bëra prej shtetarëve e bandeve të tyre?!
Dhe përsëri si “rastësi”, arkiva e “zaga(r)njorëve” ku ka rënë zjarri është ngjitur me arkivën e pasurive të krye-hajdutë shtetarëve, mbasi Gjykata e Lartë dhe ILDKP, ndahen me vetëm 15 cm mur. Rastësia tjetër, pas këtij zjarri në arkivën e Gjykatës së Lartë, është heshtja e plotë e Berishës, i cili jep alarmin edhe kur digjet 1 mullar apo kur ngordh 1 gomar që bredh nëpër alpe, por ndoshta ngaqë është i sigurtë, se thonë që zjarri, ka djegur vetëm dosjet e gjakosura të Remzi Hoxhës, Gërdecit, 21 Janarit dhe dosjet blozë korrupsioni të “Video-Priftit”, “Rruga e Kombit”, “Damir Fazlliç”, “Argita-3% gobë”, “Taçi-Oil”, “CEZ” e disa të tjera.
Pavarësisht kësaj, Likja, Mona e Luli, nuk janë të qetë, mbasi nga një kopje e dosjeve të tyre, gjendet në tavolinat e agjencive të drejtësisë amerikane./Pamfleti