Paige Smith, 24 vjeç tentoi vetëvrasjen duke qëndruar në një urë në veri të Londrës në dhjetor të vitit të kaluar, pasi të dashurit të saj shqiptar, Fatjon Ballmi, 23 vjeç nuk i jepnin vizën. “Nuk mbaj mend shumë, qëndroja atje, duke menduar ‘unë do të hidhem’, por pastaj dy oficerë policie – nuk e di prej nga kanë ardhur – arritën të më ndalonin”, ka treguar Smith për “The Guardian”.
Shtatorin e kaluar, duke qenë së bashku për gati tre vjet, ata kërkuan vizë për Ballmi, por, dy muaj më vonë, autoritetet e refuzuan duke deklaruar gabimisht se Smith nuk i plotësonte pragun e të ardhurave prej 18,600 paund të nevojshme për ta sjellë partnerin e saj në vend, një kërkesë e paraqitur në vitin 2012 nga Theresa May.
“Nuk pritej një refuzim dhe e pata marrë shumë keq”, tha Smith. “Unë isha duke vuajtur mendërisht, duke qenë larg të dashurit tim për 11 javë në total dhe kam provuar të bëj vetëvrasje. U dërgova në spital dhe qëndrova atje për më shumë se 24 orë para se të më linin të shkoj”.
“Të gjithë thonë ju jeni një qytetar britanik kështu që nuk do të keni problem por në të vërtetë ka probleme. Unë ende nuk kam takuar një shtetas britanik që ka një bashkëshort shqiptar i cili nuk ka pasur ndonjë problem. Unë mendoj se kombësitë e caktuara janë jashtëzakonisht të diskriminuara kur bëhet fjalë për marrjen e vizës. Unë e di se gabimet ndodhin dhe është një departament i madh qeveritar, por duket se po ndodh shumë shpesh”, është shprehur Smith. Autoritetet nuk e kishin kontrolluar mirë pasi paga bazë e vajzës provonte se Smithi i plotësonte kriteret.