Udhëtimi i parë i familjes angleze në Shqipëri nuk shkoi siç pritej. Martijn Stolte, bashkëshortja e tij Helene dhe dy fëmijët e tyre 18 dhe 4 vjeç ndihen me shumë fat pasi i shpëtuan vërshimit të gurëve në rrugën e Komanit. Pas një vizite në Valbonë familja po kthehej drejt Shkodrës, por në një moment fatkeq gurë të mëdhenj u shkëputën nga mali dhe ranë mbi makinën ku udhëtonin 4 persona duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
“Isha në Tropojë në Valbonë, kalova një ditë shumë të bukur. Ishim duke udhëtuar në rrugë dhe kishte shumë reshje shiu. Papritur gurët nisin të binin në makinën tonë. Xhamat u thyen dhe makina u dëmtua. Fëmijët nisin të qajnë por ne ndaluam menjëherë dhe falë Zotit nuk ndodhi gjë dhe të gjithë jemi shumë mirë. Thjesht është dëmtuar makina. As vetë nuk e di se çfarë kam përjetuar. Jam me fat që dy fëmijët nuk janë dëmtuar edhe pse unë kam disa gërvishtje të vogla. Është e vështirë për të treguar se sa gurë kanë rënë por besoj se 4 të mëdhenj dhe pastaj shumë tjerë të vegjël pa pushim kanë goditur makinën time”, tregon kryefamiljari nga Anglia.
Pavarësisht incidentit të rrezikshëm në Shqipëri, Stolte ndan një opinion shumë të mirë për shqiptarët dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar.
“Njerëzit e mrekullueshëm të Shqipërisë na ndihmuan shumë. Ata morën gruan time, dy fëmijët dhe i kanë dërguar në hotel dhe tani po çoj edhe makinën nëse mund të rregullohet. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të dashur. Të gjithë kërkonin të na ndihmonin dhe u ndjemë shumë mirë nga kjo sepse ne ishim në mes të maleve dhe nuk dimë asnjë fjalë shqip”, tregon turisti.
Për të duhet që rruga e Komanit të rikonstruktohet menjëherë ndërsa sipas përvojës së tij nga udhëtimet, malet gjatë rrugës duhet të sigurohen për të mos lejuar rënien e gurëve.
“Është e çuditshme sepse pasi ulesh nga trageti në Valbonë rruga është shumë e mirë por këtu në Koman është një rrugë çfarë të them, e çmendur, nuk e imagjinoja. Duhet të rikonstruktoni rrugën dhe të sigurohen malet që të mos bien gurët. Tjetra është që të informohen njerëzit kur ka reshje shiu dhe të mos lejohet kalimi”, thotë Stolte.
Edhe pas këtij incidenti pushimet e familjes angleze në vendin tonë nuk do të përfundojnë.
“Nuk më intereson që është dëmtuar makina por më intereson që kemi shpëtuar, makina do rregullohet dhe do vijojmë rrugëtimin tonë në Shqipëri. Më pas do shkoj në Ulëz dhe në Borsh”, tha kryefamiljari nga Anglia./BW