Një gabim, injorimi i një informacioni, duket se ka shkaktuar tragjedinë në Mati, Greqi, ku qindra persona u dogjën të gjallë. Helikopteri që kontrollonte zonën për zjarret i ka pikasur flakët që në orën 17:30 të pasdites dhe ka dhënë alarmin, e regjistruar kjo me zë, por autoritetet jo vetëm që nuk e kanë vlerësuar atë për ta shuar, jo vetëm që nuk kanë urdhëruar një evakuim të organizuar të njerëzve por janë treguar të paafta për ta menaxhuar situatën në momentet e fundit duke i lënë për orë të tëra viktimat në mëshirë të fatit.
Këto fakte po dalin në dritë tani, hap pas hapi, me zhvillimin e hetimeve. Mediat greke bëjnë të ditur se dosja e hetimit po mbushet me fakte dhe prova.
Zjarri kishte nisur që në orën 16:30 dhe ishte ndarë në dy fronte, sipas trilleve të erës. Ka foto shumë shqetësuese që janë bërë nga helikopteri Supr Puma dhe i janë dërguar autoriteteve me qëllim që të merrnin masat.
Një pjesë e flakëve ishte drejtuar përmes grykës që lidh manastirin me fshatin dhe e dyta kishte kaluar nëpër një varrezë, një fushë derisa kishte dalë në rrugë.
Pyetja që ngrihet nga hetuesit tani është: Përse zjarrit nuk iu pre rruga më herët më të gjitha forcat? Përse nuk u dha urdhri për evakuim?