Gjermania do të hartojë dhe miratojë një ligj për migracionin. Ekspertët thonë se kjo do të duhej të ishte bërë me kohë, nëse Gjermania do që ta ruajë aftësinë konkurruese. Po çfarë sjell ligji?
Se si duket kur realiteti krijon fakte politike, kjo shihet më së miri nga gjendja e tanishme në Gjermani. Më shumë se katër dekada debate kundërthënëse nuk kanë dhënë fryte në përpjekjet për nxjerrjen e një ligji për migracionin në Gjermani. Grindjet kanë qenë të shpeshta, ndërsa zgjidhja ka munguar. Por realiteti dhe zhvillimet e fundit kanë krijuar fakte, për shkak të valës së refugjatëve dhe azilkërkuesve, por në radhë të parë për shkak të nevojës për fuqi punëtore. Burokracioa dhe rregullat e shumta në Gjermani nuk kanë mundësuar deri tani ardhjen e planifikuar të fuqisë punëtore në këtë vend.
Kur pengesat shndërrohen në nismë
Tani era ka ndryshuar drejtimin – Gjermania do të shndërrohet në një vend imigrimi. Madje edhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer, e ka paraqitur një dokument që parashikon nxjerrjen e ligjit për migracionin. Kush mund ta mendonte pakjavë më parë, që pikërisht CSU dhe lideri i saj Seehofer, që frenonin në çdo rast për tërheqjen e punonjësve të kualifikuarr, do të dilnin me propozime të tilla. Për një ligj migracioni ka insistuar më së shumti Partia Socialdemokrate. E me këmbënguljen e saj kjo çështje është futur edhe në Marrëveshjen e Koalicionit.
Richard Fuchs
Tashmë nuk janë vetëm shoqatat ekonomike që kërkojnë që Gjermania të ketë një ligj modern për ardhjen e fuqisë punëtore në këtë vend, që është si parakusht për ruajtjen e aftësisë konkurruese me vendet më të fuqishme ekonomike. Pas shumë vitesh mospërballjeje me realitetin, situata tani ka ndryshuar. Vet partitë që kanë qenë skeptike e kanë kuptuar se cilat janë përparësitë e ardhjes së fuqisë punëtore nga jashtë, nëse ligji parashikon rregulla transparente, të qarta dhe të realizueshme. Dhe pikërisht në këto elemente po punohet tani.
Kancelarja Angela Merkel ka qenë edhe më parë e hapur për një ligj të tillë, ndonëse partia e saj CDU, në fillim të viteve 2000 bëri fushatë zgjedhore me parulla si ajo “Fëmijë e jo indian”. Punën e CDU-së nga vitet 2000 tani po e bën partia djathtiste AfD (Alternativa për Gjermani), e cila po përpiqet të bllokojë çdo propozim të mirë ligjor. SPD nuk do të jetë e kënaqur me siguri me të gjitha propozimet e Seehoferit dhe do të kërkojë zgjidhje edhe më liberale. Ndërsa liberalët dhe ekologjistët do të kërkojnë që Gjermania të jetë e hapur për ardhjen e fuqisë punëtore nga e mbarë bota. Pra çështja me siguri që nuk ka përfunduar.
Ligji synon lehtësimin e ardhjes në Gjermani të akademikëve dhe fuqisë së kualifikuar punëtore. Ky është një vendim i mençur në veçanti kur dihet se në Gjermani ka një mangësi serioze të fuqisë së kualifikuar punëtore në shëndetësi, zejtari, sektorin e përkujdesjes për të moshuarit. Ligji nuk ka dhe nuk duhet ta ketë për synim integrimin e refugjatëve në shoqëri dhe tregun e punës. Kjo çështje duhet të zgjidhet diku tjetër dhe kjo nuk mund të konsiderohet si mangësi e ligjit. Kriteritet për migrimin e kuadrove të kualifikuara duhet të jenë shkollimi, përgatitja, mosha, njohja e gjuhëve dhe dëshmitë konkrete se këta persona i përshtaten tregut të punës. Por për detajet kërkohet me siguri edhe shumë kohë.
Reliktet dhe ndryshimet
Do të ishte mirë nëse hiqen edhe reliktet e vjetra. Këtu bën pjesë edhe mënyra e aktuale e punësimit, ku përparësi i jepet kuadrove nga vendet e BE-së. Ndërsa të tjerët duhet mund të pranohen vetëm nëse në BE nuk ka kuadro për vendet vakante të punës. Kësisoj ekspertët nga vendet jashtë BE-së duhet të presin e në fund detyrohen të kërkojnë punë në ndonjë vend apo rajon tjetër. Kjo pengesë duhet që më në fund të evitohet. Ky është një prej shumë hapave që duhen ndërmarrë gjatë hartimit të ligjit të ri për migracionin. Kjo me siguri që do të zgjatë edhe shumë kohë, por drejtimi i tanishëm është ai i duhuri. E kjo nuk është pak. Nga Deutsche Welle