Nuk paskan të mbaruar “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit nga radhët e drejtuesve të LSI. Tashmë nuk bëhet më fjalë për nivel drejtorësh por flitet për ministra. Dhe as më pak e as më shumë por për ministra Drejtësie, ata që kanë për detyrë të “filtrojnë” padrejtësinë, të kontrollojnë drejtësinë për të dhënë drejtësi. Por në LSI është një rregull i pashkruar nga pronarët e kësaj partie Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi: Drejtësia është me atë që vjedh para nga shteti më shumë dhe plotëson “kuotën” tek Mona e Likja. Dhe ministrat e Drejtësisë nga radhët e LSI janë përfshirë në këtë proces vjedhjeve janë Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.
Të dy ministrat e LSI janë të përfshirë në një proces vjedhjeje të parave të shtetit, ku më evidenti janë abuzimet me 2 milionë eurot e dhëna për byzylykët elektronike, apo siç etiketohet tashmë “skandali i byzylykëve”.
Kjo aferë, pas zbardhjes rrezikon që “byzylykët” të vendosen në duart e këtyre dy ministrave të Drejtësisë, tepër të trembur dhe të tërbuar nga reforma në drejtësi. Por dhe tepër të karikuar për të sulmuar ndërkombëtarët. Në fakt kanë hall burgu, por ta kishin menduar para se të fusnin dorën në arkën e shtetit për të shtuar pasurinë e tyre personale. Dhe të gjitha lëvizjet e parave pas fitimit të tenderit janë bërë përmes Ermal Beqirit, njeriut të Metës që i shpëtoi dhe b***ën nga burgu, i cili tashmë e shpërbleu njeriun e tij.
Situata bëhet akoma më e rëndë, pasi prokuroria e Tiranës tashmë me Kryeprokuror të ri ka rinisur me intensitet hetimin e kallzimit penal nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për abuzimin me byzylykët elektronikë.
Ishte ministria e Drejtësisë ajo që kishte ankimuar këtë vendim në gjykatë dhe pritej vendimi gjykatës nëse do të pranojë apo jo ankimin e ministrisë së Drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe rezulton se shërbimi i provës i ka dërguar një shkresë gjykatave ku u kërkon të mos japin përkohësisht vendime për mbikëqyrje elektronike pasi po testohet sistemi i sigurisë të byzylykëve, nëse janë të çmontueshëm të sigurt apo në funksion përgjatë 24 orëve.
Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e hetimeve për skandalin e byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike që përdoret për të dënuarit, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se Ministria e Drejtësisë e ka ankimuar vendimin pasi ka bindje për ekzistencën e provave. Dhe Gjykata e urdhëroi prokurorinë e Tiranës për të filluar sërish hetimet. Tashmë pritet të kopsitet dosja. Skandali me tenderin e byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve, u denoncua nga ish-ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi.
Pas plasjes së këtij skandali, ai depozitoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzim penal për bashkimin e operatorëve fitues të tenderit dhe ish sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë. Sipas ministrisë kallëzimi penal është bërë ndaj firmave “Fastech”, “Ratech” dhe “Soft Solution” si dhe ndaj ish-sekretares së kësaj ministrie Juliana Hoxha pasi është personi që ka firmosur kontratën me kompaninë fituese.
Ministria ka sqaruar se firmat fituese “Fastech”, “Ratech” dhe “Soft Solution” nuk ishin paraqitur për të kryer testimin e këtyre pajisjeve të dorëzuar ministrisë. Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në fillim të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 2 milion euro u shpallën fitues tre operatorët ekonomik.
Në këtë tender rezulton se janë shkelur një sërë procedurash dhe është favorizuar bashkimi i operatorëve fitues. Dhe sot e këqsaj dite mungon një përgjigje zyrtare për procesverbalin e marrjes në dorëzim apo funksionimit të byzylykëve për të kuptuar sa prej tyre janë funksional vendosur tek të burgosurit, sa prej tyre janë të dëmtuar dhe sa prej tyre u kthyen nga firma tek ministria e drejtësisë. Madje gjithçka është bërë me letra dhe as që ka parë njeri byzylykë mbikqyrës elektronikë të hyjnë apo dalin nga magazinat.
Petrit Vasili i implikuar në aferën e “byzylykëve”
Petrit Vasili “shkollëshumë” që flet që nga qepujkat, veterinaria dhe ekonomia, parimor dhe kritik ndaj qeverisë, megjithëse ishte pjesë e saj, është bërë pjesë e një abuzimi të madh në Ministrinë e Drejtësisë ku qëndroi për pak muaj në krye të saj, pas shkarkimit të parardhësit të tij Ylli Manjani.
Në muajt mars dhe prill të viti 2017 është bërë pjesë direkte e këtij skandali të përmasave të mëdha, me një dëm shtetit prej 2 milionë euro. Afër dy muaj para zgjedhjeve të 25 qershorit, duke treguar nevojën dhe “urinë” e madhe që kishte fushata e LSI për para, Vasili përmbylli ciklin e aferës së “byzylykëve” të realizuar nga paraadhësi i tij Manjani.
Janë 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike të të pandehurve me vlerë rreth 2 milionë euro që mungojnë në Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pse ky institucion i ka paguar paratë dhe duhet ti kishte në inventarin e vet, ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi thotë se këto pajisje të shtrenjta dhe me rëndësi të lartë, mungojnë.
Përmes një shkrese që mban datën 1 gusht, ministri u drejtohet kompanive që kanë fituar tenderin t’i kthejnë byzylykët, që mesa duket kanë shëtitur mes disa zyrave, të paktën shkresërisht, pasi ekzistenca e tyre fizike ngelet e paprovuar. Nga shkresa e ministrit kuptohet se Ministria e Drejtësisë ka marrë në muajin mars të këtij viti në shërbim këto byzylykë me kartë SIM dhe ja kaluar Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, institucion i cili duhet t’i përdorte.
Pikërisht në këtë pikë, fillon mjegulla e kësaj ngjarjeje të paprecedentë e me kosto të lartë për shtetin. Ministri Bardhi thotë se Shërbimi i Provës nuk ka respektuar procedurat ligjore të marrjes së dorëzim të kapitalit. Madje, me një veprim të dyshimtë, në 11 prill, Shërbimi i Provës përmes një akti dorëzimi që mban numër protokolli 834, ia ka dhënë sërish 300 byzylykët firmës prodhuese. Mister mbetet pse Shërbimi i Provës i ka dhënë kompanisë prodhuese të mbajë këto sende të kushtueshme që tashmë ishin pronë e saj. Pavarësdisht se e kanë argumentuar se byzylykët ishin të pakolauduar. Por hyrja dhe dalja në këtë Ministri e byzylykëve mbikqyrës elektronikë është bërë vetëm përmes letrave, nuk ka pasur hyrje dhe dalje fizike të byzylykëve, duke bërë vetëm shkëmbim letrash. Çka tregon se është bërë vetëm një blerje fiktive, për të nxjerrë paratë nga arka e shtetit dhe për t’u ndarë me kompaninë e operatorëve prodhues dhe “pjesën e Luanit” për ta marrë titullari i lartë.
Drejtori i IT-së së Hipotekës, njeriu i Metës pas super-tenderit të byzylykëve
Skandali i 300 byzylykëve elektronikë, të destinuar për të burgosurit, blerë për 1.5 milionë euro nga ministria e Drejtësisë në mars të vitit 2017 dhe që, sipas po kësaj ministrie, tashmë ishin zhdukur, ngre dyshime të mëdha mbi tri kompani private që kanë fituar tenderin për furnizimin me këto aparatura. Nga një investigim i kryer media, rezulton se tenderi ishte hapur nga ministria e Drejtësisë më 30 dhjetor 2016, kur ministër në detyrë ishte Ylli Manjani. Tenderi paraqet shumë pika të errëta: Në garë morën pjesë shtatë firma, por plot pesë prej tyre, në mënyrë të çuditshme, nuk paraqitën as ofertën ekonomike (pse morën pjesë atëherë?); Komisioni i Vlerësimit e lexoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga shtatë kompanitë dhe shpalli fituesin në më pak se 48 orë; Bashkimi i Operatorëve që fitoi tenderin me vlerë 196 milionë lekë të reja e shkatërroi konkurrencën duke bërë një skonto prej vetëm 2 milionë lekësh të reja (sa 1% e vlerës totale); Në një muaj kohë, Bashkimi i Operatorëve nënshkroi kontratën për furnizimin me 300 byzylykë elektronikë dhe me softëare-in e administrimit të tyre, siguroi të gjithë materialin nga jashtë vendit, realizoi një aplikim të ndërlikuar telefonik, e dorëzoi dhe arkëtoi 150 milionë lekët e reja të para nga ministria (një afat me të vërtetë rekord për të përfunduar punën).
Bashkimi i Operatorëve përbëhej nga tri shoqëri shqiptare: Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions. Është pikërisht prania e kësaj shoqërie të fundit ndër fituesit e tenderit, që tanimë ka bërë të dyshojë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila po heton mbi skandalin.
Në fakt, shoqëria Soft & Solutions ka lidhje të drejtpërdrejta me një njeri shumë të afërt me LSI-në dhe, për rrjedhojë, me ministrin në detyrë në kohën e zhvillimit të tenderit, Ylli Manjani. Fjala është për Ermal Beqirin, aktualisht përgjegjës i IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, historia profesionale e të cilit është e lidhur ngushtë me politikën.
Ermal Beqiri në fakt ishte një ndër tre ekspertët, të cilët, në vitin 2011, bënë që të binte akuza ndaj Ilir Metës për korrupsion, duke treguar se video-përgjimi i bërë nga Dritan Prifti, që implikonte liderin e LSI-së, ishte manipuluar. Po ai ka qenë edhe një ndër ekspertët teknikë që në vitin 2013 hetoi për llogari të qeverisë skandalin e pretenduar të serverit të Tatimeve. Në vështrim të parë nuk duket gjë: shoqëria, e cila ka fituar tenderin e byzylykëve elektronikë nga ministri Ylli Manjani, në fakt, është themeluar zyrtarisht më 28.01.2011 nga një ortak i vetëm, që quhet Arjola Koromani, me seli në Tiranë, Lagja nr.2, Rruga Hoxha Tahsim, nr.2, kati 2. Por duke gërmuar në historinë e shoqërisë, dalin lidhje të dyshimta dhe shumë të drejtpërdrejta mes Soft & Solutions dhe shoqërisë Al Forensic të Ermal Beqirit.
Al Forensic është themeluar më 10.11.2011 dhe ka pasur seli zyrtare në këtë adresë: Kashar, rruga dytësore Tiranë-Durës, km.3, në krah të autostradës, ambientet e universitetit Kristal, kati 2. Në vitin 2010 Ermal Beqiri kishte krijuar edhe shoqërinë Al Soft, të regjistruar në të njëjtën adresë në Kashar. Më 06.07.2012 themelohet shoqëria e re, që ka të përbashkët me Al Forensic të Ermal Beqirit jo vetëm objektin social dhe një pjesë të emrit, por madje edhe të njëjtën adresë identike: shoqëria quhet Forensic Lab dhe selia e saj zyrtare ndodhet pikërisht në Kashar, rruga dytësore Tiranë-Durrës, km.3, në krah të autostradës, ambientet e universitetit Kristal, kati 2. Shoqëria është në pronësi të një personi tjetër: Erisa Malellari. Por, më 26.07.2016, Forensic Lab i Erisa Malellarit (që kishte zyrat në të njëjtën adresë të shoqërisë së Ermal Beqirit) i transferon zyrat, këtë herë, në të njëjtën adresë të Soft & Solutions, në Tiranë, lagja nr.2, rruga Hoxha Tahsim, nr.2, kati 2. Praktikisht, shoqëria Soft & Solutions, që fitoi tenderin e dyshimtë nga Ylli Manjani, ndodhet në të njëjtën seli me një shoqëri që kishte zyrat e veta bashkë me Ermal Beqirin. Mund të jetë një koincidencë, por nuk është e vetmja. Pronarja zyrtare e Soft & Solutions, Arjola Koromani, në fakt është mike e ngushtë e Erisa Malellarit, pronare zyrtare e Forensic Lab, domethënë e shoqërisë së themeluar në zyrat ku kishte seli edhe Al Forensic e Ermal Beqirit. Të dyja ato në shkurt të vitit 2017 kanë krijuar bashkërisht edhe kompaninë INGE-T. Në fund, janë edhe dy dokumenta, që mbyllin rrethin e dyshimeve dhe tregojnë se, si Erisa Malellari, ashtu dhe Arjola Koromani, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Ermal Beqirin. Të dyja në vitin 2015 e kanë përfaqësuar atë në drejtimin dhe administrimin e shoqërisë së tij Al Forensic. Thënë me fjalë të tjera, Arjola Koromani, pronarja e shoqërisë Soft & Solutions, që ka fituar (ndër të tjera) tenderin me vlerë 1.5 milionë euro nga ministria e Drejtësisë për furnizimin e byzylykëve elektronikë në kohën kur ministër ishte Ylli Manjani, është përfaqësuesja ligjore e Ermal Beqirit, drejtor i IT-së pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave. Të dhënat e bilanceve të viteve të fundit të Soft & Solutions tregojnë rritje të habitshme: më 2014 shoqëria regjistronte të ardhura vetëm në vlerën e 10 milionë lekëve dhe një fitim prej 300.000 lekësh; më 2015 të ardhurat rriten në 106 milionë dhe fitimet në 1.9 milionë; më 2016 të ardhurat arrijnë në 451 milionë, me një fitim prej gati 42 milionë lekësh. Rritja në dy vjet është gati 1.500%. E gjithë kjo është meritë e Arjola Koromanit? Apo, siç synon tani të verifikojë Prokuroria, pas Soft & Solutions në të vërtetë fshihet Ermal Beqiri dhe kështu suksesi i papritur në garat e administratës publike varet nga lidhjet e tij me politikën? Në rast se do të vërtetohet se ka një lidhje edhe financiare mes Soft & Solutions dhe Ermal Beqirit, jo vetëm që do të dalë në pah një konflikt gjigant interesi, duke marrë parasysh që Ermal Beqiri, nga pozicioni i tij si drejtues i IT të ZRPP administron tendera prej miliona eurosh pikërisht në sektorin ku operon edhe shoqëria e tij Soft & Solutions, por edhe pse kjo lidhje, që në të vërtetë duhej të mbetej e fshehtë, tani ngre dyshime për dhjetëra tendera të tjerë me vlerë dhjetëra miliona euro, në të cilat Soft & Solutions nuk ka marrë pjesë e vetme, por bashkë me shoqëri të tjera, që kanë përfituar kështu nga lidhjet e tij politike. Edhe vetë gara për 300 byzylykët elektronikë, duket si një tender “i rregulluar me porosi” për të favorizuar Soft & Solutions dhe partnerët e saj./Pamfleti.com