Pra, me shumë gjasa jemi para një fushate frikësuese zjarrëvëniesh ndaj çerdheve, të ngjashme me fushata të tjera frikësuese që Shqipëria ka njohur, siç kanë qenë hedhja në erë e shtyllave të tensionit, apo dhe fushata e dinamitit nëpër makina.
Mero Baze
Të martën mbasdite, në orën 19’ 25 minuta, çerdhja Nr. 16 në afërsi të ish-Bllokut në Tiranë, u përfshi nga zjarri dhe versioni paraprak i zjarrfikësve, është se flakët janë shkaktuar nga katër vatra zjarri të ndryshme zjarri brenda dhomës. Pra, bëhet fjalë për zjarrëvnie të qëllimshme.
Zjarri pason një tjetër zjarr në çerdhen Nr. 14 të Tiranës, në zonën e “Ali Demit”, më 16 gusht. Edhe aty dyshimet janë se bombula e gazit që shpërtheu duke rrëzuar njërën nga faqet e murit të magazinës së çerdhes, të jetë hedhur nga jashtë.
Në të dy rastet ka dhe një detaj tjetër interesant. Në rastin e parë, opozita reagoi me shumë alarm, dhe gati ilustroi me 3D skemën e zjarrëvënies. Në të dytën po ashtu, duke e kthyer në një akuzë politike. Biles nga zyra e opozitës, në disa raste janë shpërndarë dhe pistat e zjarrëvënies.
Ky i fundit ishte dhe qesharak si arsyetim, pasi thuhej se çerdhja ka marrë flakë pasi ishte lënë frigoriferi në prizë. Në fakt, frigoriferi në prizë lihet, ndaj është frigorifer. E rrezikshme është kur lë fjala vjen sobën ndezur, jo frigoriferin ndezur. Por e vërteta është se nuk ka fare frigorifer të dëmtuar, por vatra zjarri të shpërndara në dhomë.
Pra, me shumë gjasa jemi para një fushate frikësuese zjarrëvëniesh ndaj çerdheve, të ngjashme me fushata të tjera frikësuese që Shqipëria ka njohur, siç kanë qenë hedhja në erë e shtyllave të tensionit, apo dhe fushata e dinamitit nëpër makina.
Ajo që mbetet për t’u diskutuar, është implikimi politik i opozitës ndaj këtyre ngjarjeve.
Opozita po vrapon t’i konsiderojë ngjarjet paaftësi menaxhimi të çerdheve, ndërkohë që versionet paraprake flasin për raste terroriste. Paaftësia e menxhimit të çerdheve, nuk mund të vijë fare papritur në vitin e tretë të mandatit të një kryetari, dhe brenda një jave.
Është sa qesharake, dhe e pamenduar si kauzë. Mund të gjejnë plot kauza të tjera, më të forta dhe të besueshme kundër Veliajt, por potencimi i kësaj kauze, e cila është dukshëm kriminale, rrezikon të implikojë opozitën në mbështetje të një aksioni terrorist, me apo pa dijeninë e saj.
Ligjërimi i Albana Vokshit, ilustrimi në 3D i akteve terroriste, si aksidente, përpjekja për të shpikur pista që nuk ekzistojnë, dhe mbi të gjitha, përdorimi i kësaj historie si një fushatë kundër sigurisë në çerdhe, mund të rezultojë jo vetëm një fiasko e fortë, por dhe një betejë që mund t’i kthehet kundër opozitës.
Në finale mund të kemi imazhin e një opozite e cila ngaqë nuk ja del dot kryebashkiakut aktual me betejë politike, me kundër kandidat apo betejë ligjore, i ka nisur një betejë terroriste, që vë në pikëpyetje sigurinë e fëmijëve.
Fakti që të dy rastet kanë ndodhur në kohën që çerdhet kanë qenë bosh, në të dy rastet kanë qenë zjarre të qëllimshme dhe në të dy rastet, opozita dukej sikur e kishte gati komunikatën e shtypit dhe pistën e zjarrit, mund t’ia rrisë çmimin dembelizmit të opozitës, që mendon se mund të bëj politikë, duke stimuluar akte terroriste dhe duke devijuar pistën e tyre si aksidente.
Është guxim i madh të shpikësh pista aksidentale për akte të pastra terroriste, kur gjithë versionet zyrtare i ke kundër. Dhe është akoma më tepër marrëzi të mendosh që do t’u mbushësh mendjen qytetarëve të Tiranës, të heqin dorë nga vota për kryebashkiakun, duke u vënë zjarrin çerdheve të fëmijëve.
Është një kanibalizëm politik, i cili mund të ndëshkohet më shumë se zjarrëvënësit e vërtetë të çerdheve. Se në fakt, më të këqij se zjarrëvënsit, janë vetëm zjarrëmbrojtësit.