Pak ditë më parë, të shquarit e boksit, vëllezërit Keta, u bënë pjesë e protestuesve në Bulqizë që kërkonin anulimin e lejeve koncesionare për prerjen e pyjeve. Ishte një lëvizje që mori mbështetje të madhe dhe vetë vëllezërit Keta u përshëndetën nga banorët për këtë solidarizim me banorët e Bulqizës vendlindjes së tyre.
Duhet thënë se në fillim të shtatorit, konkretisht më datën 8, Gjetan Keta do të kthehet sërish në Dibër, por këtë herë në Dibër të Madhe në pallatin e sportit të këtij qyteti, për të luajtur një ndeshje të nivelit të lartë dhe që ka vlerë për ta cuar sportisztin në rast fitoreje drejt një dueli titulli botëror.
Nën drejtimin e të vëllait, trajnerit Ismail Keta, boksieri energjik dhe mjaft i fortë Gjetan Keta ka premtuar të bëjë “Skënderbeun” në Dibër të Madhe, pra një fitore në vendin dhe kohën e duhur. Pasi triumfoi përballë kolumbianit Caceres në Qershor, “Iron Mike” shqiptar do të sfidojë boksierin nga Meksika, Paul Venezuela Junior.
31-vjeçari Gjetan Keta numëron 23 fitore në boksin profesionist, 16 prej të cilave me “knock-out” dhe 7 humbje, ndërkohë që për luftëtarin kuqezi ky do të jetë dueli i 27-të në karrierën e tij në nivelin profesionist. Dueli i madh me boksierin meksikan do të zhvillohet më datë 8 shtator dhe do të jetë një tjetër mundësi që Gjetani të ngjisë shkallët për të siguruar sërish një ndeshje titulli.
Ndërkohë, në po të njëjtën ditë do të duelojë edhe Ferit Keta. Ai do të përballet me turkun Fatih Mehmet Karakus, në një duel mjaft të vështirë, ku bulqizaku 29-vjecar do të kërkojë fitoren e 11-të rresht.
Stërvitja e djemëve nga Bulqiza do të bëhet tek “Guri i Vashës” në masivin pyjor “Sheshe Bulqizë”, fare pranë shtëpisë së tyre në vendlindje, pikërisht te vendi i rezistencës 4-vjeçare të banorëve të disa fshatrave të Fushë-Bulqizës, për mos prerjen e pyjeve. Të gjithë urojnë që vëllezërit Keta të na dhurojnë ato emocione të forta dhe krenarie që na kanë dhënë deri më sot. Për më tepër, ky duel vjen në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe fitorja pritet me zjarr nga sportdashësit në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë.