Faza e “play off”-eve të Champions League ka zhvilluar gjashtë ndeshjet e para të martën dhe mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke vendosur në rolin e favoritëve dy skuadra holandeze, si Ajaksi e PSV-ja, por edhe grekët e AEK-ut, për kualifikim në fazën e grupeve.
Grekët e AEK-ut, të cilët vijën si kampionë në fuqi të kampionatit helen, triumfuan 2-1 në Hungari përballë ekipit të Videotonit, i cili sivjet njihet me emrin MOL Vidi.
Nga rezultatet e tjera të ndeshjeve të para spikat barazimi 1-1 i PAOK-ut të Selanikut në fushën e vështirë të Benfikës, sikurse barazimi me të njëjtin rezultat i Dinamos së Zagrebit në transfertë me zviceranët e Young Boys.
Në barazim pa gola përfundoi sfida e Crvena Zvezdës me Salzburgun, e zhvilluar pa tifozë mbrëmjen e së martës. Pas një jave do të luhen edhe ndeshjet e kthimit.