Siç duket, ndërkombëtarët do të kenë shumë punë në Shqipëri, lidhur luftën kundër krimit e korrupsionit, mbasi nuk bëhet fjalë për xhepistë e boksierë rrugësh, por për banda të strukturuara edhe me VKM e ligje të posaçme.
Një vendim “rutinë”, mbajtur i fshehtë prej Autoritetit të Konkurencës, me Nr. 526, datë 14.06. 2018, tregon se shteti është “kapur për fyti” nga korrupsioni, jo vetëm në institucionet dhe aparatçikët e nivelit të fundit, nëpër shkollat e qendrat shëndetësore të ish-komunave, ku vidhet ndonjë shiringë e bisht fshese, por në majën e kupolës shtetërore.
Sipas informacionit që po publikojmë më poshtë, bëhet fjalë për një krim-financiar, që po kryhet “me qetësi e dashuri” nga bankat private, ku qeveria, shoqëritë e privilegjuara të sigurimeve dhe vetë banka-bandat, nëpërmjet skemës së sigurimit të detyrueshëm nga kredidheniet, blerje-shitjet pasurore, nga zjarret, fatkeqësitë natyrore e aksidente të çdo lloji, po “mbjellin, korrin, bluajnë e pastrojnë” miliarda lekë.
Në datën 14.06. 2018, Autoriteti i Konkurencës, ka trajtuar një raport “konfidencial”, të dërguar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që denoncon monopolin e pisët, të sigurimit të pasurive dhe jetës, me urdhër të ish-ministrit Ritvan Bode, me urdhër të ish-ministrit Shkëlqim Cani dhe me urdhër të ministrit aktual Arben Ahmetaj, sipas të cilit, prej 13 vitesh po bëhet vetëm në një bankë dhe vetëm me 1 shoqëri sigurimi.
Lidhur me këtë monopol “lavatriçe” e zhvatëse, që ka bllokuar konkurencën e tarifave të sigurimit, janë ankuar disa banka të tjera e shoqëri sigurimi, mbasi ky pazar klientelist e monopolist, i ka nxjerr jashtë skemës, por së pari, po vepron dhunshëm (diktat) mbi bizneset dhe qytetarët, duke caktuar vetëm 1 alternativë sigurimi, me tarifa të fikuara, pa alternativa të tjera.
Nisur prej këtij skandali, Autoriteti i Konkurencës, me Vendimin Nr. 526, datë 14.06. 2018, ka ngritur grup pune dhe ka urdhëruar, nisjen e procesit “Hetim paraprak, në tregun e ndërmjetësimit në sigurime, nga bankat e nivelit të dytë”, me epiqendër “Raiffeisen Bank”(Bandë).
Nxitje ligjore është bërë, raporti vëzhgues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përcjellë me Shkresë Nr. 1789 datë 18.05.2018, me objekt: – “Mbi inspektimin e ndërmjetësit në sigurime, mbasi është konstatuar, se kontratat e sigurimit, të ndërmjetësuara nga “Raiffeisen Bank” si ndërmjetës (sekser) në sigurime gjatë vitit 2017 dhe gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2018, janë lëshuar (diktuar) vetëm nga 1 shoqëri sigurimi.
Raporti citon, se “ka dyshime të plota e të arsyeshme”, se ka mes bankës dhe kompanisë së sigurimeve, ka aq “lidhje të forta” e mbështeje nga politika dhe pushteti, sa po sillen abuzivisht me diktat, presione e tarifa shërbimesh sipas qejfit, duke zbatuar kritere të ndryshme, për veprime të njëjta tregtare ndaj palëve, në shërbimin e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës dhe pasurive.
Hetimi ka nisur dhe sipas afatit ligjor 3 mujor, në datën 16 shtator 2018, raporti duhet të paraqitet në 5 adresa, 3 prej të cilave janë: Kryeministri, Prokurorja e Përgjithshme dhe një institucion ndërkombëtar, që monitoron qeverinë dhe prokurorinë, në kuadrin e goditjes së krimit ekonomik-financiar në Shqipëri…/Pamfleti