Institucionet shqiptare duket se kanë gati dosjet për aferat e pushtetarëve shqiptarë. Gazeta e ka thënë disa herë se nëse prokuroria nuk nis goditjet në nivele të larta, do jenë institucionet e tjera shtetërore që do të vihen në lëvizje për të ndëshkuar këdo që ka kryer afera. Sipas informacioneve, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka forcuar kohët e fundit bashkëpunimin me Drejtorinë e Pastrimit të Parave për të zbuluar mashtrimet e zyrtarëve të lartë me paratë e depozituara nëpër banka. Sipas informacioneve zyrtare, ILDKP ka zbuluar se vitin e fundit, 677 persona kanë pasur deklarime të dyshimta mbi llogaritë bankare brenda e jashtë vendit dhe për të gjithë ka pasur verifikime. Duke qenë se institucioni përgjegjës për të kontrolluar gjithë transfertat është Drejtoria e Pastrimit të Parave, ILDKP ka kërkuar ndihmën e këtij institucioni për të kaluar në skaner të gjithë të dyshuarit. Sipas burimeve të gazetës bëhet fjalë për deputetë, ministra, ish-ministra, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë të administratës. Vështirësia më e madhe e ILDKP në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve ka qenë pikërisht te bankat, pasi ka mjaft emra që kanë llogari bankare dhe jashtë vendit. ILDKP nuk e bën dot verifikimin në shtete të tjera dhe për këtë arsye ka hyrë në lojë DPPPP. Kjo agjenci ka kërkuar informacione te agjencitë partnere, të cilat kanë sjellë të dhëna dhe ato i janë vënë në dispozicion ILDKP. Por paralelisht me këta emra, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka kryer paralelisht verifikim për 3000 gjyqtarë, prokurorë dhe të afërm të tyre në kuadër të procesit të vetingut. Për të gjithë emrat dosjet duket se janë bërë gati dhe nëse organi i akuzës heziton, atëherë ILDKP dhe DPPPP pritet të vihen në lëvizje. Kodi i Procedurës Penale detyron të gjitha institucionet që të denoncojë çdo individ, për të cilin kanë dyshime se ka kryer vepër penale.
Angazhimi ndërkombëtar
Sipas një njoftimi që ka bërë Drejtoria e Pastrimit të Parave në faqen zyrtare, ajo ka forcuar bashkëpunimin me njësitë homologe, anëtare të Grupit EGMONT, në kuadrin e shkëmbimit të
inteligjencës financiare ka ardhur gjithnjë në rritje, duke u intensifikuar sidomos me NjIF të Britanisë së Madhe, Greqisë, SHBA-së, Italisë, Belgjikës, Malit të Zi, Holandës dhe Kosovës.
Sipas saj, shkëmbimi i informacionit me homologët përpos kërkesave të dërguara apo kthimit të përgjigjeve, ka shërbyer edhe si indicie për detektim dhe dërgimin e rasteve të dyshimta në organet ligjzbatuese. Gazeta e tha pak ditë më parë se përfaqësues të Drejtorisë së Pastrimit të Parave janë trajnuar javët e fundit në Gjermani për të zbuluar paratë e pista, ndërkohë që në vendin tonë kanë ardhur ekspertë. Sinjalet janë se të gjitha institucionet shqiptare po vihen në lëvizje për të gjetur emrat e korruptuar. Bashkimi Europian ka vënë disa kushte me qëllim hapjen e negociatave. Kushti bazë është arrestimi në nivele të larta dhe nëse nuk ka goditje pushtetarësh nuk ka status për në BE. Sinjalet janë se fundi i këtij viti do sjellë tërmet në politikë dhe në drejtësi. /Kliti Topalli