Rasti i Izet Haxhisë pritet që të trondisë politikën shqiptare. Drejtësia po e zvarrit sa më shumë çështjen, por nga java e ardhme pritet që të nisin dhe hapat e parë. Ditën e hënë gjyqtarët kthehen pas pushimeve dhe gazeta ka mësuar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë se pjesë e axhendës së saj do të jetë dhe rasti i Haxhisë. Pas vendimit të Shkallës së Parë për të rivendosur në afat çështjen, avokati bëri ankimim në Apel. Ankimimi u bë në fillim të korrikut dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje nga gjykata. Pritet që javën që vjen të hidhet shorti për trupën gjykuese dhe më pas në ditë në vijim të përcaktohet. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë në gjykatë, por shpresat e Haxhisë dhe avokatit të tij janë te dëshmitarët dhe te lista e provave që kanë kërkuar nga gjykata. Haxhia ka dorëzuar një listë me 44 emra që do thirren të dëshmojnë, por ka shumë nga ata që nuk njihen dhe pjesa më e madhe nuk e dinë rolin që kanë. Gazeta ka bërë një analizë të të gjithë dëshmitarëve dhe rezulton se mes tyre janë 8 emra të cilët kanë dijeni të plotë për ngjarjen dhe ata rrezikojnë të tronditin politikën shqiptare nëse thonë të vërtetën.
Emrat
Haxhia ka sulmuar dhe ka akuzuar Sali Berishën si të përfshirë në vrasjen e Hajdarit dhe 8 emrat e nxjerrë nga gazeta janë ata që kanë dijeni të plotë mbi personat e përfshirë, ku disa kanë akuzuar drejtpërdrejt Sali Berishën. Duket se shpresat e Haxhisë do jenë te ta, pasi emrat e tjerë janë kryesisht përfaqësues të PD, që njihen dhe si mbështetës të Berishës. Por për kë bëhet fjalë? Një ndër ta është Zenel Neza, ish-truproja i Azem Hajdarit, i cili u qëllua gjatë atentatit. Ai ishte prezent kur ndodhi sulmi dhe është personazhi kryesor që ka parë në sy vrasësit. Madje Zenel Neza është personi i parë i cili pati kontakt me Berishën dhe ky i fundit i pëshpëriti në vesh kur ishte në spital. Emër tjetër është Marjan Gryka. Edhe ky i fundit ka qenë truproja i Hajdarit. Në disa intervista ai ka akuzuar si vrasës të Hajdarit, ish-kryeministrin Berisha. Emra të tjera që kanë qenë në të njëjtën linjë janë Jaho Mulosmani dhe vëllezërit e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, të dënuar si autorë të ngjarjes. Ata e kanë mohuar krimin dhe po ashtu kanë akuzuar Berishën. Grupit i bashkohet Fatos Klosi, ish-kreu i SHISH, që po ashtu pretendon se Berisha ka gisht në ngjarje. Një tjetër emër është Ylli Rakipi, gazetari i cili ka qenë prezent në rrëfimin që Zenel Neza ka dhënë para Berishës në spital. Rakipi e ka regjistruar bisedën, por nuk dihet se ku ajo ka përfunduar. Tjetër emër është Astrit Muldaka. Ai është dëshmitar i penduar i ngjarjes, pasi akuzohet se ka qenë pjesë e atentatit dhe ka qenë ai që ka siguruar makinën me të cilën lëvizën atentatorët.
Provat
Avokati i Haxhisë ka kërkuar nga gjykata që të kërkojë vendosjen në dispozicion të një sërë provave. Por duke qenë se shumë prej tyre janë përdorur në gjyqet e emrave të tjerë të dënuar për vrasjen e Hajdari, janë 3 prova të reja që mund të ndryshojnë situatën. I pari është ditari i Perikli Tetës. Asnjëherë nuk është përdorur në gjykatë ajo se çfarë thuhet aty; Tabulatet telefonike të personave rreth ngjarjes. Haxhia pretendon se falë këtyre tabulateve është shumë e thjeshtë të vërtetohet me kë ka folur Hajdari dhe Berisha. Prova e tretë është regjistrimi i bisedës me diktofon i gazetarit Ylli Rakipi në momentin që i shkuan së bashku me Sali Berishën të plagosurit rëndë Zenel Neza, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pra 8 dëshmitarët dhe 3 provat në fjalë pritet që të trazojnë dhe një herë politikën shqiptare. /Sot