Shqipëria ka ndryshuar për mirë, por jo njerëzit! Ata janë të njëjtët.
Lorenc Vangjeli
Një gazetare është kërcënuar me plumba, qoftë edhe indirekt dhe ky është një lajm I keq. Reagimi ekstrem në mbrojtje të gazetares, qoftë dhe me patetizëm politik e solidaritet profesional, qoftë me të ndjerë, qoftë me efekt domino, është një lajm i mirë. Eshtë më shumë se një lajm kronike. Eshtë një argument që tregon se shoqëria shqiptare ka lëvizur, ndonëse me vështirësi dhe ndonëse ngadalë, në drejtimin e duhur.
I njëjti argument mund të përdoret padyshim edhe në rastin e audiopërgjimit të rradhës me dy personazhe juristë, njëri në KQZ-në e Tiranës e tjetri në gjykatën e Strazburgut. Përveç të tjerave, pavarësisht ndarjes së thellë në gjykimin e të njëjtës ngjarje, në parim të gjithë bien dakort se ndërprerja e karrierës zyrtare, lënia e mundshme pa punë në Tiranë e një juristi të kualifikuar dhe me kredencialet më të larta të mundshme profesionale, mbas nëntë vjetësh në Strazburg, është një akt mëkati.
Që Shqipëria ka ndryshuar, që Shqipëria ka ndryshuar për mirë, që Shqipëria e sotme është më e përgjegjshme se e djeshmja e afërt, mjafton të bëhet krahasimi i këtyre dy ngjarjeve të nxehta të javës së fundit të gushtit, jo me të shkuarën e viteve 90-të, por me fare pak kohë më parë. Dhe për t’i parë këto dy ngjarje pak përtej sipërfaqes së një kronike, siç është zakoni dhe tradita me “yrysh” shqiptar që mer “yxhym, o burra” në vajtim dhe në kob. Pa folur as për kalvarin pothuaj mistik të luftëtarit Lesi në Koha Jonë dhe burgun e Frangajt me Lekën, për të mos përmendur Zamir Dulen, Bardhok Lalën apo Fatos Mahmutajn që janë gjallë vetëm për shkak të fatit, por dhe një seri të gjatë me emra që pothuaj u linçuan për shkak të profesionit të gazetarit, dy shembuj të Shqipërisë së dhjetëve vjetëve të fundit, do të mjaftojnë për të kuptuar diferencën dhe ndryshimin.
Një gazetar rebel si Mero Baze ka pasur një marëdhënie më shumë se urrejtjeje me pushtetin e djeshëm të doktor Berishës. Një pushtet që i ka rrezikuar kolegut dhe familjarëve të tij edhe jetën në kuptimin e plotë fizik të fjalës. Në Tiranën e djeshme kishte plot që uronin në mënyrë kriminale që kjo të ndodhte edhe pse qënia njerëzore Mero dhe gazetari Baze ishin e njëjta gjë. Madje, të hidhje një gur kundër Meros në atë kohë, ishte një rresht i rëndësishëm CV-je për gjithë ata që donin pak hije nga dielli shtetëror i Doktorit të tyre.
E njëjta ndarje e egër me dy skaje larg njëri-tjetrit: “solidaritet dhe mirë ja bënë”!, u verifikua jo më larg se vitin e shkuar kur kurajos së kolegut tjetër Elvi Fundo ju përgjigjën me doreza hekuri në fytyrë. Në një akt të pastër hakmarrjeje kundër profesionit të tij. Shqipëria e sotme, ndryshe nga e djeshmja, në rastin e koleges Lala, edhe pse ngjarja kriminale është ende nën hetim dhe vetëm është presupozuar se ka lidhje direkte me profesionin e saj, përkrahja, solidariteti dhe dënimi i aktit është tërësisht unanim. Për fat të mirë.
Në fakt kanë ndryshuar qëndrimet, por jo njerëzit. Dhe me një standart të vetëm, kush ka qenë në anën e kondakut të automatikëve që qëllonin shtëpi gazetarësh, kush ka djegur redaksi, kush ka rrahur gazetarë, kush i ka dënuar me censurë dhe autocensurë, kush i ka fyer duke i përdorur dhe paguar duke i përdorur vazhdimisht, sot duhet të heshtë. Të paktën duhet të heshtë nëse nuk gjen kurajo të kërkojë ndjesë për të shkuarën.
Duhet të heshtin edhe ata që duket sikur po mbrojnë gjyqtarin Bianku nga projektpersekutimi që i ka përgatitur Edi Rama që prej katër vjet më parë. Daltonikët politikë që njohin vetëm të bardhën e të zezën, duhet të kujtojnë se çfarë ka ndodhur me një rast pothuaj identik pak vjet më parë. Kristaq Traja, absolutisht një nga juristët më të jashtëzakonshëm shqiptarë, jurist e poet dhe një nga njerëzit më të kulturuar të kryeqytetit madje, ish-gjykatës në Strazburg për dy mandate, nuk u kërcënua me lënie pa punë në Tiranë. Në 2010-tën, partia që Lulzim Basha ka marë në trashëgimi, e rrëzoi kandidaturën e zotit Traja për në gjykatën e lartë.
E votuan me unanimitet kundër me një akt të mirëfilltë hakmarrjeje: dikush pse aq dinte, dikush se nuk dinte të bënte tjetër dhe të gjithë votuan kundër sepse ashtu ju tha Berisha. Me një ligësi të skajshme. Me një lehtësi të përbindshme që e pjell vetëm urrejtja dhe injoranca, Berisha, Basha dhe gjithë kompania e juristëve të PD-së së dikurshme, i nxorrën Trajës kartonin e kuq. Nuk e shantazhuan. Kërkuan ta ekzekutojnë profesionalisht.
Sot të gjithë ata që votuan kundër gjykatësit të lartë Traja tetë vjet më pare, nuk kanë pikën e të drejtës të flasin për shantazhin në tentativë ndaj gjykatësit Bianku. Ata së paku duhet t’i kërkojnë ndjesë Trajës dhe të kuptojnë se në Tiranën politike, gjithkush, çdo hipokrit që sot qan, ankohet dhe bërtet, e ka mbajtur së paku një herë një pishtar turpi në dorë: për të djegur së paku njëherë Trojën e vet.
Nuk ka vetëm një të vërtetë absolute në këtë botë. Ka më shumë se një të tillë. E vërteta varet nga koha kur thuhet; ajo bëhet e vërtetë apo e rreme edhe varësisht gojës që e thotë, mënyrës si e thotë, arsyeve se pse e thotë. Mbi të gjitha, e vërteta duhet të jetë e moralshme. Dhe ata që e thonë duhet të kenë moral. Mungesa e moralit nga daullxhinjtë, bën që të tingëllojë kaq fallco edhe solidariteti me shtypin, edhe përbetimi për mbrojtje nga shantazhet politike.
Sot ka shumë gazetarë që vajtojnë dhe janë bërë tërësisht patetikë a thua se e drejta dhe mundësia e përdorimit të fjalës, i bën ata më të rëndësishëm dhe kastë më superiore se minatorët, mjekët, fermerët, nxënësit, gratë shtatzana, çiftet e reja pa shtëpi, të varfërit e shumtë të këtij vendi e kështu me rradhë. Ka shumë gazetarë që sot do t’i donin minutat e lavdisë së koleges Lala, bashkohen në korrin solidar me të dhe ndahen në dy palë që luftojnë paralelisht me duelin qesharak të juristëve Biba e Bianku.
Veç të tjerash këto janë shembujt që afrohen për të kuptuar se shoqëria shqiptare po shndërrohet në një shoqëri depresive, e cila me Facebook-un, me komentet anonime në fund të shkrimeve, me spiralen e ankesave qaramane në kancelaritë ndërkombëtare për palën tjetër politike në Tiranë, në takime publike, në ligjërimin e përditshëm politik të vendit, po i ngjan gjithmonë e më shumë lypësit të mjerë, fatkeqit të vetmuar që rri në udhëkryqe duke kërkuar lëmoshë. Që tregon plagë të frikshme në trup për të ngjallur mëshirën e kalimtarëve. Më fakt, edhe nëse mer ndonjë qindarkë për bukë, ajo është monedhë krupe dhe neverie. Dinjiteti është muhabet tjetër; ai nuk mund të blihet! Sepse ende nuk ka dalë askush ta ketë me tepricë që ta shesë a dhurojë, njëlloj si qindarkat e mëshirës, krupës dhe hipokrizisë.
Shqipëria ka ndryshuar për mirë, por jo njerëzit! Ata janë të njëjtët.